Nga ‘Foltorja’ në qytetin e Burrelit, ish-kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ka kërkuar dorëheqjen anëtarëve të kryesisë së PD, Sekretarit të Përgjithshëm dhe nënkryetarëve të partisë.
Gjatë fjalës së tij, Berisha i ka akuzuar ata se janë skllevër të kreut aktual të PD-së, Lulzim Basha, ndërsa për këtë të fundit vijoji me akuzën e përhershme duke thënë se është marrë penga nga Rama.
Berisha tha se Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetorit do rikthejë vlerat e PD.
“Zgjedhjet që organizoi për kryetar PD-je, ishin kryekëput të manipuluar. Jam këtu për t’i bërë thirrje çdo anëtari kryesie, nuk kam personalisht me asnjërin asnjë problem, ju them se jeni të rinj në politikë, duhet të korrigjoni qëndrimin tuaj. Nuk jeni të zgjedhur konform statutit. Jepni sa më shpejt dorëheqjen, bashkohuni me rithemelues të PD. Bashkohuni se qëllimi ynë është bashkimi por nuk ka asgjë në botë që mund të na bashkojë veç votës, që na bashkon si njerëz të qytetëruar, që vendosim të zhvillojmë vlerat e përbashkëta. I deklaroj Sekretarit të Përgjithshëm, nënkryetarëve të PD, jepni dorëheqjen menjëherë, mos rrini si skllevër të peng Bashës se do bëni gabimin më të rëndë për veten tuaj. Firmat e juaja për thirrjen e Kuvendit Kombëtar do mbeten të gdhendura në muret e kohës, si firmat e një historie që shënon pluralizmin dhe shembjen e narkoshtetit shqiptar. Ato janë depozituar në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD. Demokratë të Matit ju ftoj të vini në Tiranë të merrni deputetët tuaj, por kam konsideratë kur ata ju respektojnë ju, gjithë respekti im varet nga respekti që kanë ata ndaj jush.”-tha Berisha./abcnews.al/