Berisha: Të shpallet gjendje e jashtëzakonshme

schedule15:29 - 1 Dhjetor, 2017

schedule 15:29 - 1 Dhjetor, 2017

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka bërë thirrje që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme për situatën e përmbytjeve në vend.

Në një postim në Facebook, Berisha thotë se ndihma e ofruar ndaj qytetarëve është minimaliste dhe për këtë arsye duhet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme.

Por sipas Berishës, Kryeministri Edi Rama nuk e shpall këtë gjendje për të shmangur detyrimet ndaj qytetarëve.

Ish-Kryeministri i ka bërë thirrje Presidentit të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Statusi në Facebook i ish-Kryeministrit Sali Berisha:

Të shpallet menjëherë gjendja e jashtëzakonshme për të përballuar një situatë që edhe mund të bëhet katastrofale!

Të dashur miq, Shqipëria në tërësi, që nga dje mbasdite ndodhet nën nje mot dhe përmbytje brutale tejet kërcënuese për jetet e njerëzve dhe pasuritë e tyre. Deri tani nuk ka patur viktima por dëme të mëdha materiale, dhe ndihma ndaj popullatës së kërcënuar është minimale.

Të dhënat sinoptike për orët që vijnë nuk janë premtuese. Në këto kushte është e domosdoshme shpallja menjëherë e gjendjes së jashtëzakonshme në shkallë vendi dhe mobilizimi i të gjitha potencialeve në ndihmë të zonave dhe komuniteteve më në rrezik.

Gjendja e jashtëzakonshme ka ligjin, i cili përcakton qartë detyrimet e shtetit në situata të tilla ndaj zonave të prekura nga katastrofat natyrore. Edi Rama nuk e merr këtë vendim vetëm e vetëm për të shmangur detyrimet e shtetit ndaj qytetarëve. Mos shpallja e gjendjes së emergjencës, është një akt i papërgjegjshëm antikushtetues i Noriegës!

Ftoj Presidentin e Republikës, që në një situatë të tillë papërgjegjshmërie të kreut të ekzekutivit të konsiderojë edhe thirrjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!