Në Uashington, më 19 shkurt firmoset Bordi i Paqes. Por a e kalon dot Rama oqeanin për të shkuar te Tramp? Berisha thotë po.
“Edhe mund të shkojë, por shkon hajdut, kthehet hajdut. Edi Rama kudo të hyjë, kudo të dalë, hyn dhe del si kryetar i një organizate kriminale. Në nismën e bordit të paqes, është e ftuar Shqipëria, Shqipëria për fatin e saj të keq ka në krye një njeri si ky”, tha Sali Berisha.
Një ditë pasi Rama të firmosë krah për krah Presidentit të SHBA, Donald Tramp, Berisha do të jetë duke protestuar në Tiranë. Doktori këtë të shtunë u shfaq i moderuar për 20 shkurtin.
“Ne kryengritjen nuk e ndërpresim pa rrëzuar narkoshtetin. Ideja juaj që mos largimi nga sheshi për rrëzimin e narkoshtetit është ideja më e drejtë. Momentin më të parë, që qytetarët të vendosin të gjerësisht në këtë drejtim, ajo do jetë faza përfundimtare e fitores tone”, shtoi ai.
Berisha uroi Shën Valentinin, ditën e të dashuruarve. Por urimi nuk vlente për ata që në të shkuarën i kanë thyer doktorit zemrën.
“Nuk bëhet fjalë këtu për Bashën dhe pasardhësin e tij Salianjin. Se këta janë fatkeqë, të keqpërdorur, janë deshër të errësirës, këta janë njëlloj Dash Sule me petkun e demokratit. Ata e kanë haram, në shprehjen popullore, qumështin e nënës së tyre. Se nuk i lind nëna për të kryer akte të tilla ndaj demokratëve dhe ndaj PD”, u shpreh kreu i PD.
Karma i erdhi shpejt doktorit. Veç audiencës online prej rreth 100 shikuesish, komentet ndaj tij nuk ishin urime, por shumë mallkime.
Sot Sali Berisha provoi se është njeriu më i vetmuar në vend. Në ditën kur njerëzit qoftë edhe formalisht festojnë dashurinë, Sali Berisha shpërndau fyerje, urrejtje dhe zili. Për fat e dëgjojnë gjithnjë e më pak njerëz. E vetmja shenjë dashurie: foli nga zyra e tij. Një shenjë dashurie, si mallkim për Partinë Demokratike, mbajtur peng në kullën e tij.


