Nga majat e Kosovës tek dera e SPAK. Sali Berisha u kthye nga turi malor për të zbatuar masën e detyrimit të paraqitjes për aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
I frymëzuar nga ngjitjet e metrave në ajër të freskët, doktori e nisi me një fantazi, për një person që kishte pak kohë pa e përmendur.
“Çfarë gjeta unë aty, aty gjeta Elvis Doçin. Po i varte në qafë një pllakatë Altin Troplinit, me të cilën e shpallte, President i Nderit i Kartelit Troplini. Për shkallën më të lartë të bashkëpunimit, dhe mbështetjes që ai dha këtij karteli.”
Doktori kësaj radhe e akuzoi Dumanin, se pas bosëve të krimit, po fsheh edhe tonelatat e drogës.
“U Informuam se janë kapur 17 tonelata drogë. Lajmet ndërkombëtare thanë se në duart e Çelajve, Ndreut apo atij Hoxhosmanit, janë qarkulluar 34 ton kokainë. E barabartë me 6.5 miliardë euro. Asnjë gram nuk është kapur në Shqipëri. Dhe informuan se u kapën 17 tonelata. “
Për herë të parë pas zgjedhjeve, Berisha ndonëse nuk e shpreh, as nuk e fsheh dëshirën për ta shkrirë SPAK, duke thurur elozhe për ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
“250 urdhër arreste ndërkombëtare, kombëtare, nuk janë ekzekutuar. Sepse si rasti i Elvis Doçit, janë mbajtur e informuar, krerët e karteleve dhe de fakto asnjë prej tyre nuk është në burg në Shqipëri. Është një bashkëpunim i shkallës më të lartë, nëse Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte një ekzekutim të mandateve të arrestit, sipas statistikës, që shkonte në 85-90%, Altin Troplini dhe paraardhësi i tij, të marrë të dy së bashku, kanë një ekzekutim që për bosët nuk shkon as në 10%.”
Por ndonëse, ata që sulmon, Altin Dumani apo Arben Kraja kanë qenë prokurorë të Krimeve të Rënda, Berisha këtu i ndan, nga te ndershmit. Në këtë kategori, hyjnë ata që më parë se ai, i kritikon Edi Rama.
“Shqiptarët duhet ta dinë, se ky institucion në të cilin padiskutim, ka njerëz të ndershëm, burra e gra, vajza e djem të ndershëm. Edi Rama sulmoi me egërsinë më të madhe, një prokurore me mbiemrin Gjeli, e cila në mënyrë absolute kishte zbatuar pikë për pikë atë që thuhej në raportin e Policisë Shkodër. S’la turfullimë, sulmoi një tjetër, Balliu a Balla, por ky gjyqtar kishte zbatuar pikërisht vendimin e qeverisë.”
Sepse, dosjen Partizani nuk e ka më në dorë Dumani apo Kraja, por gjyqtarja e re, Elsa Ulliri, kushërira e ish-deputetes demokrate, Andia Ulliri. Ndaj dhe doktori shkon i sigurt drejt gjyqit në shtator.
“S’ka, ajo është procedurë. Besoj e keni të qartë. Do e vazhdoni gjykimin? Padiskutim. Aty s’ka çështje individi, po të kishte do e thoja”.

