Pritej një urim për Pashkët por Sali Berisha i përdori vizitat në objektet e Kultit për premtime elektorale.
Gjatë qëndrimit në Kishën Ortodokse në Kavajë, kryedemokrati foli për dyfishim të fondeve për komunitetet fetare. Po ashtu Berisha e cilësoi “prioritet absolut” zgjidhjen e problematikave të pronave, edhe pse ky premtim ka qenë kryefjalë, në çdo fushatë të tij, që nga vitet e para të tranzicionit.
“Së pari do të dyfishojmë fondin që kemi për komunitetet fetare, fondin buxhetor. Ne e patëm vendosur në atë kohë në buxhet një fond për komunitetet fetare dhe këtë fond e ndanin vetë në komitetin e tyre. Së dyti, brenda këtij mandati që vjen në rast se qytetarët shqiptarë votojnë, ne do të zgjidhim përfundimisht problemin e pronave me përparësi absolute për institucionet fetare, por edhe për të gjithë shqiptarët”, tha Sali Berisha.
Pas Kavajës, fushatën Berisha e vazhdoi edhe në Tiranë. Pas takimit me kryepeshkopin Joan në Katedralen Ngjallja e Krishtit, Berisha habit jo pak duke e krahasuar ringjalljen e Krishtit me atë të opozitës shqiptare.
“Ringjallja e Krishtit është ngjarja më e madhe në historinë e qytetërimit perëndimor. Në fakt e ka një analogji edhe me opozitën shqiptare. U përpoqën ta fshijnë nga faqja e dheut, u ringjall, u ringjall dhe sot është me e fuqishme se kurrë, që të përzejë antikrishtin nga trojet shqiptare”, shtoi kreu i PD./abcnews.al