Ish-kryeministri Sali Berisha priti në një takim delegacionin e Partisë Demokratike shqiptare të Luginës së Preshevës, të kryesuar nga Ragmi Mustafa.
Mustafa informoi ish-kryeministrin se Beogradi ka bërë gati ligjin e ri albanofob për heqjen e monumenteve dhe përmendoreve historike të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe në Pazarin e Ri.
Ndërsa ish-kryeministri deklaroi se shqiptarët e komunave të Luginës kanë nevojë për garantimin e të drejtave të tyre në përputhje me konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, investime dhe zhvillim dhe jo që të përdoren për interesa të Serbisë për tregti territoresh.
Berisha gjithashtu u shpreh i zhgënjyer edhe me qëndrimet e auroriteteve të Tiranës dhe Prishtinës ndaj problemeve të mëdha politike, ekonomike, infrastrukturore të banorëve të komunave të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës.
Republika e Kosovës, tha Berisha, është shpallur dhe njohur si shtet i pavarur me kufijtë e saj aktual ndërkombëtar ndaj Serbia nuk ka asnjë të drejtë dhe nuk duhet t’i njihet asnjë e drejtë për të pretenduar qoftë edhe një pëllëmbë tokë të territorit të Kosovës.
Sipas Berishës të pranosh idenë e ndarjes së Kosovës në një mënyrë apo në një tjetër mbështet idenë dhe përpjekjen e Beogradit për Serbinë e Madhe në kurriz të Kosovës.
Në rajonin, tha ai, zona me tre komuna minoritare si Mitrovica janë disa dhe hapja e një precedenti që kërkojnë serbët në Mitrovicë do minonte paqen dhe stabilitetin në mbarë rajonin.
Për të gjitha këto zoti Berisha u shpreh se është kategorikisht kundër dhe se ka bindje se këto përpjekje destabilizuese të Serbise do të dështojnë./abcnews.al