Me fushën hapur, turma përballë një individi, pa oponencë nga mazhoranca indiferente, Berisha u vetëshpallur triumfator një ditë pas seancës kuvendore të Altin Dumanit. Gjatë seancës ai u mundua të shmangte shikimin sy me sy me prokurorin e akuzës ndaj tij, por të martën nga selia, pohoi se e kishte parë atë nga koka e poshtë.
“Për të gjithë ata që e njohin gjuhën e trupit, kjo ishte e vërteta e tij, sepse ai është i kapur.”
Pra, duket se pakti I heshtur ishte, që mazhoranca, e lënduar nga pickimet e shumta penale të SPAK, ti linte hapur fushën opozitës. Dhe në Kuvend, të flitej për korrupsionin e socialistëve, por jo për dosjet e Berishës. Dhe kështu mes zhurmës e heshtjes, Rama dhe Berisha takohen sërish në një pikë, po për SPAK, kush e heton Dumanin?
“Nuk mund të hetohet ai. Ne kemi paraqitur akuza direkt ndaj tij, po nuk ka, ai është mbi ligjet, mbi Kushtetutën. Ai është vetëm direkt i varur nga Edi Rama. Por çdo njeri, po të kishte kompetencë, do të niste hetimin kryesisht se këtu janë elementë konkretë. Ja urdhëro ku del problemi i tij.”
Doktori ndihet jo komfort para drejtësisë, por edhe Rama nuk është rehat para partisë. Sidomos ditën kur Veliaj i ka shpallur luftë ish-kryetarit të tij. Por miqtë e vërtetë njihen në ditë të vështira. Berisha ofroi të martën një gjethe ulliri për kërkesën e Ramës për një Kuvend me 101 deputetë. Me një kusht të vogël: që ai vetë të jetë senator.
“Nëse është problemi për të përcaktuar Senatin e Republikës, po jam gati, nuk kemi asnjë kompleks aty, sepse besojmë se është një institucion i dobishëm dhe jo duke rënduar buxhetin e taksë paguesve, por duke zvogëluar numrin e deputetëve.”
Në fund, nga këto pakte humbasin rivalët e të dyve, të tretët, problematikë e të vegjël, si partitë e reja opozitare, Dumani. Dhe Erion Veliaj.

