Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën ish-kryeministrit Sali Berishës dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi për heqjen e masës së arresti të shtëpiak.
Kjo ishte hera e 5-të që gjykatat refuzojnë ndryshimin e masës për Berishën e Malltezin që po hetohen nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
Më herët e njëjta gjyqtare ka rrëzuar edhe kërkesë e avokatëve të Berishës që ky i fundit të marrë pjesë në seancat parlamentare.
E nëse Berisha nuk frekuenton për 6 muaj seancat parlamentare atëherë KQZ pritet ti heqë edhe mandatin e deputetit.
Nga ana tjetër pala mbrojtëse ka kërkuar sërish përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka me pretendimin se ajo ka bërë shkelje të rëndë duke u dhënë mediave vendimin për Berishën për të mos marrë pjesë në Kuvend.
Ish-kryeministri Sali Berisha mbahet i izoluar prej datës 30 dhjetor pas hetimeve të nisura për privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
Fillimisht gjykata e shkalles së parë caktoi masën detyrim paraqitje për Berishën, por ai nuk e zbatoi asnjëherë çka detyroi prokurorinë të ashpërsonte masën, nga detyrim paraqitje në arrest shtëpie.
Ish-kryeministri po hetohet për korrupsion pasi ka dyshime se ka favorizuar duke nxjerrë akte nën ligjore për ti ardhur në ndihmë dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi që përfaqësonte familjet e disa ish-pronareve që përfituan më pas pronën në ish-kompleksin Partizani por në kundërshti me ligjin.
/abcnews.al/