Është ndërprerë seanca në Gjykatën e Posaçme, në të cilën do duhej të paraqitej ish kryeministri Sali Berisha, për t’u marrë në pyetje për privatizimin e ish kompleksit “Partizani’, por që kanë shkuar avokatët e tij, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi.
Gazetari i ABC News, Ermal Vija raporton se seanca do të rifillojë në orën 18:00. Avokatët mbrojtës të Berishës kanë kërkuar kohë që të njihen me aktet.
“Seanca është ndërprerë, e nisur në orën 14:10, por e ndërprerë nga avokatët mbrojtës të zotit Berisha, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi, ku këta të fundit i kanë kërkuar gjykatës kohë që të njihen me aktet e prokurorisë. Për këtë, gjyqtarja Irena Gjoka ka vendosur që seanca të ndërpritet për 4 orë dhe të nisë në orën 18:00. Avokatët mbrojtës janë duke u njohur me aktet e prokurorisë, në lidhje me akuzën e ngritur ndaj ish kryeminsitrit Sali Berisha, atë të korrupsionit pasiv. Do të shohim ditën e sotme, pasi deri më tani, gjykata ka legjitimuar dy avokatët mbrojtës të Berishës, do të shohim se çfarë do të ndodhë me zotin Berisha, pasi ndaj këtij të fundit është lëshuar një masë sigurie si ajo e detyrimit për t’u paraqitur dhe sekuestro të pasaportës.
Në këtë seancë, zoti Berisha duhet të paraqitej për t’u marrë në pyetje sa i takon akuzave të prokurorisë dhe ishte një seancë e detyrueshme”, raportoi gazetari Vija.
Ndërkaq, gjykata ka legjitimuar dy avokatët e Berishës dhe e ka konsideruar si të pranishëm me argumentin se interesat e tij mbrohen nga dy avokatët që përfaqësojnë atë me prokurë. Nëse do të mbetet në fuqi ky vendim, pra detyrim paraqitje, gjykata do të vendose ditën dhe orën se kur Berisha duhet të paraqitet në seancë, atëherë ai do të jete i detyruar të zbatojë vendimin. Dhe nëse e thyen, do të urdhërohet policia ta sjellë forcërisht në prokurori./abcnews.al