Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha në një intervistë online në “ABC” me gazetaren Juli Xhokaxhi foli për pandeminë e Covid-19 në Shqipëri, që sipas tij ka dalë jashtë kontrollit.
Për ish-kryeministrin Berisha, testimi masiv është një mënyrë efikase për kontrollin e saj por që në Shqipëri ato kryen shumë pak.
Duke iu referuar kryeministrit Rama si “Xhahili i Surrelit”, Berisha e akuzoi se ka lënë pandeminë të ecë në natyrë, duke theksuar se kjo mënyrë veprimi është një dështim.
“Xhahili nuk kupton që testimi është parandalim, është mjekim, është rrugë mbi instrumentin më kryesor për kontrollin e pandemisë. Xhahili nuk kupton se eksperimenti i lënies në natyrë të pandemisë është dështim.
Është Edi Rama që u tha shqiptarëve mos të shpenzonin për maska, mos blini maska ndërkohë që maska ka qenë i vetmi mjet mbrojtës për mbrojtjen ndaj epidemisë në të gjithë botën. Qytetarët të respektojnë distancën sociale, të mbajnë maskën dhe nga ana tjetër do të ndërmerrja praktika të tilla siç mori Sllovakia e cila kreu testim masiv të popullatës”, tha Berisha.
Pyetjes së gazetares Juli Xhokaxhi nëse Shqipëria e ka mundësinë për të vepruar si Sllovakia, Berisha tha se vendi ynë i ka të gjitha mundësitë nëse kryeministri dhe qeveria e tij nuk do të kryejë vjedhje.
“Patjetër që kemi mundësi, nëse nuk vidhen paratë patjetër që do kemi për ti blerë testet. Sllovakët krijuan 5000 qendra të testimit të shpejtë dhe testuan popullin masivisht. Në muajin gusht kam kërkuar të shtyhet hapja e shkollave për arsyen e vetme se mbi analizat e bëra, rezultonte se shkollat tona në masën 80 % janë jashtë çdo standardi për të funksionuar gjatë pandemisë, për shkak se mungon uji dhe mungojnë fondet për të kryer dezinfektimit, për më tepër i kanë kushtet për tu krijuar bomba të epidemisë”, tha ish-kryeministri.
Pjesë nga biseda:
Juli Xhokaxhi: Komiteti nuk i konsideron shkollat si “bomba të epidemisë”, çfarë mendoni në lidhje me këtë?
Sali Berisha: Komiteti është vetëm Edi Rama, ku merr pjesë ish-kunata e tij, militantja Silva Bino, ndrikulla e hajnisë. Komiteti është mburojë për të mashtruar shqiptarët nga Edi Rama. Hapja e spitaleve Covid aktualisht është pa zgjidhje, nuk ka mjek, nuk ka infermier, nuk ka staf mjekësor për të pritur pacientët. Kanë mungesa të tmerrshme aktuale. Ka një shpartallim të sistemit mjekësor. Ajo që do të bëja është të mbyllja shkollat menjëherë, do i hapja pas një periudhe të caktuar të gjatë, duke e vazhduar mësimin online, por edhe nëse nuk do kishte mundësi për mësimin online, do të zhvilloja mësimin në shkolla verore. Edhe në këtë rast, është më mirë që shkollat të mbyllen dhe të zgjatet viti shkollor gjatë verës, duke u kryer edhe në zoom apo online. Zëdhënësi i Edi Ramës për shëndetësinë gënjen nga mëngjesi në darkë. Nëse do ishte një ekip serioz, do të përgatiste mjekë reanimator duke i trajnuar nga alfa tek omega. Ajo që mund t’ju them është se spitali Covid 3 ka gjithsej 4 shtretër reanimacioni, ndërkohë që mjek reanimator nuk ka.
Juli Xhokaxhi: Edi Rama ka deklaruar se nuk e imagjinon dot se çfarë mund të ndodhte nëse pandemia do e gjente Shqipërinë në kohën kur ai ka ardhur në qeveri, duke lënë të kuptohet se spitalet kanë qenë në ditën e tyre më të keqe kur ju ishit në pushtet.
Sali Berisha: Mashtrues ordiner. Në dekada nuk u ndërtua një spital i ri. Dua tu them shqiptarëve se në regjimin e diktaturës në memorien e Sali Berishës janë ndërtuar disa spitale të reja. Trashëguam një numër shtretërish të konsiderueshëm, kjo është e vërtetë dhe mund ta them. Në kohën që kam qenë në qeveri, është ndërtuar spitali i Durrësit, i Kavajës, kirurgjia e Elbasanit, janë ndërtuar 600 e ca qendra shëndetësore dhe reparte spitalore në mbarë vendin. Kurse spitali që ai inaguroi për së dyti, është inaguruar nga Sali Berisha dhe Halim Kosova, ai është ndërtuar me një kredi të butë nga Banka Botërore. Xhahili që vuan nga kompleksi i nihilizmit deklaron paturpësisht se në Shqipëri nuk ekzistonin vegla kur në fakt ekzistonin aparatura nga më modernet, ndërkohë që ky do vidhte bashkë me ndrikull hajninë. Nga mëngjesi në darkë Edi Rama nuk mbron gjë tjetër, veç vjedhjet e papërmbajtura prej tij.
n.d./abcnews.al