Berisha mbështet Metën për çështjen e Butrintit

schedule13:50 - 20 Qershor, 2022

schedule 13:50 - 20 Qershor, 2022

Ish kryeministri Sali Berisha ka bërë me dije se mbështet presidentin Ilir Meta për çështjen e Butrintit pasi ka kthyer ligjin për rishqyrtim në Kuvend.

Berisha  i bëri thirrje Fondit shqiptaro-amerikan që të ulet e ta diskutojë edhe njëherë çështjen e Butrintit, pasi sipas tij, me projektin e ri aty do të ndërtohen 620 vila për klientelën e Edi Ramës.

“Plotësisht. A e pe votimin ti? Si votuan Ali Basha me Bardhin? Çështja e Butrintit është shumë e madhe, jo të Shqipërisë por të Evropës. E kam thënë dhe e them prap, Rama përpiqet të mbrohet me fondin shqiptaro amerikan. Nuk akuzoj fondin për korrupsion, por nuk jam dakord që ka bërë vetë studimin, ka përfshirë avokatin që ka bërë kontratën, e ka përfshirë në bord. Nuk jam dakord me bordin që ka ngritur sepse Ministrja e Kulturës që vetëm me kulturën nuk ka asgjë të përbashkët, ka pranuar që Ministria e Kulturës të jetë për 2 vite dhe më pas të jetë Margariti. Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë një gjë e tillë. I bëj thirrje bordit të mblidhet dhe ta shohë edhe njëherë këtë problem që nuk mund të mbyllet. Është pasuri përrallore e shqiptarëve”, tha Berisha.

Sot, Presidenti Ilir Meta i është drejtuar Kuvendit me një kërkesë për ngritjen e një Komision i Posaçëm parlamentar për Parkun Kombëtar të Butrintit.

Meta thotë se kjo çështje ka një rëndësi ekstremisht të veçantë që kërkon kujdes të lartë nga organet shtetërore dhe për këtë Kuvendi i Shqipërisë, duhet të miratojë dekretin e Presidentit, dhe të vlerësojë sugjerimin për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar. /Abcnews.al/