Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka publikuar ditën e djeshme listën përfundimtare të kandidatëve për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.
Sipas renditjes së KED, Artur Metani, aktualisht Avokat i Shtetit është renditur i pari, ndërsa pas tij prokurori i dosjeve të bujshme Sokol Stojani.
Artur Metani ka mbajtur disa poste gjatë 15 viteve të fundit në institucionet në vend, ndërsa prokurori Stojani ka qenë gjithashtu në poste të rëndësishme në Prokurorinë e Përgjithshme.
Dy kandidaturat të rendituara sipas KED me më shumë pikë kanë një diferencë të vogël, prej më pak se 1 pikë.
Për kandidaturën e Artur Metanit ka reaguar në fakt edhe ish-kryeministri Sali Berisha ditën e sotme, i cili shkruan se:
“Na fal Metan se te vonuam!
Ky eshte Metani, keshilltari i Edvinit dhe “eksperti” i korrupsionit te tij qe ka si merita te tjera, eshte vellai i Ministres Gjermeni dhe deputetes se PS si dhe rezultate tejet te dobta ne fakultet. Ne kuadrin e reformes se kapjes se drejtesise nga Edvin Mafia. Ky do jete mekembesi i tij apo kreut te KÇK per drejtesine! Sb”, shkruan Berisha.
Ndërsa Sokol Stojani i cili kaloi me sukses vetingun, ka një karrierë të gjatë si prokuror.
Ai ka kryesuar hetimet e dosjeve më të bujshme në vend, siç është ajo e vrasjes së Azem Hajdarit dhe Gërdeci.
Po çfarë është ky institucion?
Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, i krijuar nga reforma në drejtësi, është përgjegjës për verifikimin e ankesave, nisjen e hetimeve për shkeljet dhe fillimin e procedimit disiplinor për gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve, deri tek anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë etj.
Për të zgjedhur Inspektorin e Lartë të Drejtësisë duhet tre të pestat e votave në Kuvend. Mandati i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është 9-vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje.
Edhe për rastin e zgjedhjes së kreut të ILD, Kushtetuta ka parashikuar mekanizëm zhbllokues. Nëse një nga pesë anëtarët nuk votohet brenda 30 ditëve në Kuvend, kandidati i renditur me më shumë pikë në listë merr detyrën automatikisht. /abcnews.al