Kolegji Zgjedhor përmbylli këtë të enjte të gjitha përpjekjet e Partisë Demokratike dhe liderit të saj Sali Berisha për të mosnjohur dhe delegjitimuar rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit. Vendimi i Kolegjit vjen mes një klime të tensionuar politike dhe paralajmërimeve për një sesion të ri parlamentar të ngarkuar me përplasje dhe destabilitet. Avokati Edmond Petraj, i ftuar në emisionin “Tirana Live” në ABC Neës, u shpreh se veprimet e opozitës po shkojnë në kundërshtim me interesin kombëtar dhe rrugëtimin europian të Shqipërisë. Sipas tij, PD duhet të reflektojë dhe të tregojë një qasje më konstruktive, në një kohë kur qeveria vijon të mbajë shumicën parlamentare dhe kontrollin politik.
“Kërkojnë që të godasin grup-kapitujt. PD-së nuk i intereson që ne kemi 40 vjet që po presim anëtarësimin në BE. Nuk u intereson rrugëtimi europian i Shqipërisë. E vetmja gjë që mund të bëjë PD, është një bashkëpunim dhe të tregojë që nuk është kundër anëtarësimit, sepse të gjitha vendet e tjera mbështesin Shqipërinë në rrugëtimin e ri europian.
Megjithatë pritet që të shikojmë sesionin e ri parlamentar, i cili ka për të qenë një kaos. Do të shohim të njëjtën skenë si herën e parë, që digjeshin karrige. Duhet që të ashpërsohet rregullorja e Kuvendit. Sepse do të kemi një situatë shumë të tensionuar. Në kushtet që jemi e vetmja lëvizje e lezetshme që ka bërë PD është Berisha, por kjo nuk mjafton që ata të vijnë në pushtet.
Ata nuk hapen si parti. Nëse ata do të kishin një program dhe zëra që premtojnë, gjithçka do të ishte shumë ndryshe. Mbetet për t’u parë, por Rama i ka të gjitha numrat”, tha avokati Petraj./abcnews.al

