Ish-kryeministri Berisha u bën thirrje shqiptarëve të Kosovës të mos e mbështesin idenë e rregullimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë, pasi është një ide e hershme e Beogradit që synon aneksimin e territoreve të Kosovës.
“Dua t’i informoj qytetarët e Kosovës, se kjo idea e kufijve që serviret si ide shqiptare dhe me një dhimbshuri të madhe për Preshëvën, është absolutisht falsitet. Kjo është ide e mirfilltë e Beogradit, e shtruar tek unë në Selanik nga Vuk Drashkoviç, e propozuar në mënyrë të përsëritur, e kundërshtuar në mënyrë kategorike nga Tirana zyrtare por dhe Prishtina zyrtare. Ndërsa tani na u gdhi si një ide shqiptare. Kjo është një ide serbomadhe, me të cilën asnjë shqiptar nuk duhet ta mbështesi. Eshtë nja nga aktet më destabilizuese të rajonit përpjekja e Beogradit për Serbinë e Madhe, për aneksimin e territoreve të Kosovës dhe destabilizimin e Ballkanit”.
Qëndrimin Berisha e dha pas një takimi në zyrëne tij me kreun e Levizjes Vetevendosja, Albin Kurti dhe deputetin Liburn Aliu me të cilët ka biseduar rreth sfidave të Kosovës dhe kombit shqiptar. Ish kryeministri ka shprehur shqetësim për këto propozime dhe ka kujtuar se asnjëherë në karrierën e tij ekzekutive nuk ka qenë çështje integriteti territorial i Kosovës
“Çdo shqiptari dhe çdo qytetari të Kosovës në mënyrë të veçantë, dua t’i them, në mënyrën më të sigurt, se kurrë në karrierën time politike nuk kam patur, pas çlirimit të Kosovës dhe deri sot, nuk kam dëgjuar një shtetar, diplomat, burrështetas, deputet apo të huaj, që të vërë në diskutim kufijtë e Kosovës. Mund të kem patur shumë pretendime, mund të kem ngritur çështje të ndryshme po kurrë kufijtë e saj aktual, kurrë integritetin e saj territorial”.
Berisha thotë se ka mbështetur që në fillim dialogun Serbi-Beograd, por nxjerrja e çështjes së kufijve të Kosovës, la në harresë 30 marrevëshje të pazbatuara, të negociuara gjatë dialogut, teksa disa banda në Mitrovicën e veriut funksionojnë në unison me qeverinë e Beogradit dhe shprehin gatishmëri për shkëputje, duke e përdorur Preshevën si plaçkë tregu. Ish kryeministri përsëriti thirrjen ndaj qytetarëve të Kosovës të mos pranojnë atë që e quan projekt i Serbisë së madhe, duke shigjetuar edhe interlokutorin e Kosovës Presidentin Thaçi.
“U bëj thirrje qyetarëve të Kosovës, u bëj thirrje deputetëve të Kosovës, t’i japin fund kësaj situate dramatike. Nuk ka kush autoritet të diskutojë, të vërë në tavolinë integritetin territorial të Repubilikës së Kosovës. Nuk ka asnjëri tager, cilido qoftë ai, nuk ka kush tagër të diskutojë kufijtë e Kosovës. Nuk ka asnjë të drejtë Serbia të pretendojë kufijtë e Kosovës. Nuk ka Kosova asnjë pëllëmbë tokë, as dhuratë nga Tito, as nga Rakoviçi dhe nga askush tjëtër. E theksoj këtu se, hapja e kutisë së Pandorës përbën një rrezik të madh për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Si Mitrovica me tre komuna janë të paktën gjashtë të tjera në një distancë jo shumë të largët, pak qindra kilometra ose më pak nga ai rajon. A do hymë ne tani të hapim zinxhirin e në seri konflktesh për ambicien e një Serbie të Madhe, të cilët kësaj here, me një operacion të paimagjinueshëm, nuk e shprehin më vetë, por e shprehin me argatët e tyre në Prishtinë”.
Ish-kryeministri Berisha është politikani i vetëm shqiptar që shpreh hapur shqetësimin për hipotezat e artikuluara për rregullimin e kufijve, përmes një marrëveshjeje mes Thaçit e Vuçiç. Më herët Berisha ka pritur edhe një delegacion të shqiptarëve nga lugina e Preshevës./abcnews.al