Berisha, i vetëm pa pushime/ Të gjithë në plazh, doktori në ballkon

schedule15:31 - 18 Gusht, 2024

schedule 15:31 - 18 Gusht, 2024

TIRANË- Thirrjet për betejë dëgjohen vetëm në mbrëmje, nga ballkoni i katit të 8-të të Berishës në izolim. Të kundërtën reflekton selia e tij këtë mes gushti, pavarësisht një baneri të madh, të vendosur në godinën e e PD-së, me mbishkrimin “Lironi Berishën”.

Demokratët, që ia ka dorëzuar selinë e PD-së, duket se janë në pushime, përveç atyre të paktëve që shkojnë poshtë banesës së tij, për të 229 ditë, mbrëmjen e së shtunës. E vetmja gjë që ka tërhequr vëmendjen në selinë bosh është ky automjet “Range Rover” që qëndron i parkuar prej disa ditësh në vendin që më parë, qëndronte automjeti i Berishës.

Këtë makinë e përdorte Lulzim Basha pas rikthimit të tij në korrikun e një viti më parë në krye të PD, por me humbjen e logos e vulës, e ka humbur dhe të drejtën e përdorimit të saj.

Makina e ish-kryetarit demokrat është i vetmi aset i kthyer prej tij, ndërkohë ai duhet ti dorëzojë Berishës përveç simboleve edhe asete të tjera të blera nga paratë e partisë.

Arka e parave nuk është në zotërim të tij, prej qershorit kur Apeli vendosi kthimin e logos tek Berisha. Por ende as në përdorim nga PD-ja e Berishës, për shkak të procedurave ligjore, në transferimin e saj tek të zotët.

Demokratët e Berishës ende në gjykatë rezultojnë të kenë drejtues Komisionin e Rithemelimit, e këta nuk kanë çuar ende financierët e tyre, për të marrë në dorëzim paratë.

Megjithatë, Lulzim Basha ndoshta ende pret që t’i kthehet partia që ka pasur, pas ankimimit të bërë në Gjykatë të Lartë. Selia me qira e marrë prej tij ende është e veshur së jashtmi me logon e PD-së, ndërsa brenda është kujdesur të shtojë Demokratët Euratlantikë, që dita ditës po i firojnë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!