Të ndarë në Ditën e Rinisë. Ish-aktivistët e lëvizjes studentore e kujtuan të vecmas 8 dhjetorin. Në këtë 35-vjetor, Berisha me të vetët u mblodhën në Qytet Studenti, para memorialit të Azem Hajdarit, ndërsa kritikët, u mblodhën afër sheshit Skënderbej.
Doktori, u kërkoi demokratëve që të marrin shembull nga ajo ditë, e të ngrihen edhe njëherë e të rrëzojnë regjimin socialist.
“Sot në ditën e rinisë, Edi Rama vjen si armiku më i egër i historisë shqiptare. Idealet janë të pavdekshme, sot janë frymëzim për të qëndruar për lirinë e tyre. Janë më të vendosur për të shporrur nga pushteti Ramaduron”
Por thirrjen e kishte jo për ish-studentët e dhjetorit që sot janë mbi 50 vjeç, por për ata sot nën 20 vjeç.
“Shpresa e vetme është rinia shqiptare. Gjenerata Z, ajo gjeneratë që këto 2 vite ka bërë historinë e lirisë në botë”
Por përveç dy djemve të Azem Hajdarit, në mungesë të vajzës së madhe Rudina Hajdarit, rinia e vetme e PD në këtë 8 dhjetor, përfaqësohej nga më demokrati, djali i Fahriut.
Ata që konsiderohen si e pretendentët e ardhshëm për lidershipin e PD, Ervin Salianji, Belind Këlliçi apo Gazment Bardhi, nuk e dëgjuan këshillën e doktorit për tu frymëzuar nga Azem Hajdari.
Ndaj dhe kritikët e tij ndër vite, të përjashtuarit apo rebelët, u mblodhën veçmas për të kujtuar 8 dhjetorit. Rexhep Uka, Ferdinand Xhaferaj, Roland Bejko dhe të tjerë, të cilëve doktori u ka vendosur me kohë traun në PD, zgjodhën ta kujtojnë veçmas.
Organizatori i takimit, ish-studenti i dhjetorit 1990, Spiro Cura sqaroi se pse ky grup refuzon përfundimisht të rreshtohet krah Berishës.
“Ne jemi të distancuar, e kemi parë që ajo parti e konsoliduar rrotullohet rreth problemeve të saj, zgjedh vetë liderin, drejtuesit. Ne nuk na intereson kjo. Sikush ka të drejtë të mblidhet siç e mendon, ne nuk mendojmë që politika është vetëm masë, por edhe peshë, jo vetëm fjalime, por mendim”
Sepse, për 35 vite shumë gjëra kanë ndryshuar, por jo fytyra e PD, ajo mbetet gjithmonë Sali Berisha, edhe kur doktori nuk ka qenë aty.

