Berisha: I ftoj mjekët, infermierët të ngrihen në greva dhe protesta të fuqishme

schedule18:58 - 27 Shtator, 2022

schedule 18:58 - 27 Shtator, 2022

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, nga Gramshi ku ka organizuar një takim me banorët, u ka bërë thirrje mjekëve dhe infermierëve që të ngrihen në greva dhe protesta. Njëherësh, Berisha u premtoi të pranishmëve në takim se “ndërhyrja e qeverisë së ardhshme do të jetë e fuqishme”.

Ish-kryeministri premtoi se rrogat e infermierëve dhe mjekëve do të 2-3 fishohen.

SALI BERISHA NGA GRAMSHI

“…Se ku është katandisur sot mjekësia e tregoi Covidi. Ne shqiptarët, u futëm në grupin e 3-4 vendeve me vdekshmërinë më të lartë në botë. Dhe si shpërblim, si akt si për të thënë që mirë ua bëri, ajo e cila linte mjekët dhe infermierët, se vidhte me tenderat sekretë, pa maska, pa doreza, pa mbrojtje, ajo riemërohet ministre përsëri për meritën e vetme se ndan paratë me kryeministrin dhe tarafin e tij.

Sado që njerëzit e kanë të vështirë ta perceptojnë, por së fundi një tregues i një institucioni shumë serioz vlerësimesh, e nxjerr Tiranën në 10 qytete me mjekësinë më të shkatërruar në botë.

Tirana renditej e 245 në një klasifikim që kishte 255 qytete të mëdha dhe kryeqytete.

Kur them Tirana, ja urdhëroi doktoresha u shërben 3 qendra me 7-8 mijë banorë, kur në standardin evropian duhet të jetë 1 mjek për 3-400 banorë. Ua thash këto për të ndalur se ku jemi.

Por përsëri unë dua të them këtu, mjekëve, infermierëve që koha sot është më shumë se kurrë për greva dhe protesta të fuqishme në sistemin shëndetësor, sepse ky sistem po shkon drejt zhdukjes nga një njeri që nuk ka asnjë sens për qeverisje, shëndetësinë e qytetarëve për sistemin e kujdesit të tyre.

Ndaj dhe ky sezon fton çdo mjek, infermier, punonjës shëndetësor ti shërbejmë qytetarëve me greva e protesta, sepse ky është një shërbim më i mirë.

Ju garantoj se ndërhyrja e qeverisë së ardhshme, do të jetë e fuqishme. Ju e dini se ne mbidyfishuam rrogat e mjekëve dhe infermierëve.

Ju garantoj se do të 2-3 fishohen dhe se sot me borxhin e madh që ka marrë Edi Rama, 500 miliardë lekë borxh, çdo mjek, mësues, pensionist mund të mirrte trefishin e asaj që merr pa asnjë vështirësi.

Por ato janë vjedhur, shpërdoruar. Me ato janë ndërtuar 1 km autostradë, 22 mln euro në një kohë kur në Europë ndërtohet me 2-3 mln euro. Me ato është ndërtuar një shkollë në mes të Tiranës me 5 mln euro, kur në mes të Berlinit ajo shkollë kushton 620 mijë euro, është standard, nuk mund të shpenzojë më shumë nëse është shkollë publike.” 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!