Berisha ende s’e ka kuptuar përse e ka humbur Shkodrën

schedule10:26 - 11 Mars, 2024

schedule 10:26 - 11 Mars, 2024

Nga Mero Baze

Ka një acarim nervash nga njerëzit e Foltores rreth pranisë 24 orëshe të Edi Ramës në Shkodër dhe projekteve që premton për të ndryshuar Shkodrën.

Berisha i kushtoi gjithë fjalimin e darkës majë penxheres, projekteve të Ramës në Shkodër dhe u kujtoi shkodranëve se ai e urren Shkodrën, Veriun madje gjithë shqiptarinë…

Gazmend Bardhi si ata dhëndurët e rinj që gjashtë muajt e parë nuk u del dot përpara, i ka reaguar Ramës ndaj thirrjes që ka bërë për strukturat e PS që të tërheqin më shumë demokratë brenda tyre.Shtypi i Berishës vazhdon të përmend faktin që Rama nuk është “mirënjohës” ndaj atyre që e kanë ndihmuar në fitore, duke nënkuptuar një grup kriminal arrestuar prej policisë së Ramës vitin e fundit. Pra sipas tyre, Rama është dhe mosmirënjohës ndaj kriminelëve, ndaj ata duhet të shkojnë me njerëz të “besës’.

Shqetësimi në fakt nuk ka lindur sot, por një vit më parë, kur socialistët fituan kuti më kuti bashkinë e Shkodrës, me një kandidat që vinte nga e djathta dhe kishte provuar aftësitë e tij drejtuese me të dyja qeveritë, të PD dhe PS.

Modeli që e bëri të suksesshëm Partinë Socialiste në Shkodër, ishte pikërisht tejkalimi i tabuve ideologjike në Shkodër, tejkalimi i kritereve të Berishës Jug- Veri dhe krijimi i një oferte politike që bazohej mbi suksesin e individit dhe zhvillimin e Shkodrës.

Humbja e Shkodrës ka qenë një nga goditjet më të forta që Berisha ka marrë pas shpalljes “non grata”, pasi i hoqi atij shansin të keqpërdorte një nga qytetet më me emër të Shqipërisë për interesa tërësisht personale.

Tani që e ka humbur, është mirë që ai dhe të tjerët ta kuptojnë pse e kanë humbur.

E kanë humbur, pasi ata vetëm e kanë përdorur Shkodrën për interesa të pushtetit të tyre dhe nuk i kanë dhënë asgjë. E kanë mbajtur një geto 30 vjeçare ku nuk ka pasur kurrë zgjedhje, por vetëm emërime nga kupola e PD që drejtonin qytetin si feudalë primitive, duke e degraduar atë.

Nëse nuk e pranojnë arsyen përse kanë humbur, nuk kanë për ta fituar më kurrë.
Përrallat me grupe kriminale në Shkodër, që i përdor Edi Rama dhe i fut në burg po Edi Rama, janë qesharake.

Fakti që Berisha i do ende demokratët e Shkodrës për t’i marrë “nizam” drejt “Rrugicës së Shpresës”, tregon shumë se përse i duhet Shkodra Berishës dhe përse i duhet Ramës.

Berishës i duhet të ketë një vend të sigurt ku të rekrutojë talibanë për hallin e vet, ndërsa Edi Ramës i duhet të krijojë një model të ri të ndryshimit të Partisë Socialiste drejt një partie elektorale, që synon të zgjerojë bazën e saj dhe përtej të majtës.

Pra njeri e do sa më të izoluar dhe sa më fanatike që t’i vijnë poshtë penxheres, me sa më shumë urrejtje për Jugun, tjetri e do sa më të hapur dhe sa më të zhvilluar që ta ketë si model suksesi për projektet e tij politike.

Dhe kur i krahason këto dy qasje ndaj Shkodrës, e kupton se Berisha e ka humbur Shkodrën në mënyrë afatgjate, pasi po e trajton si një kazermë ushtarësh për të, kurse Rama si një model elektoral që kërkon ta shtrijë në gjithë Shqipërinë. Dhe normalisht kështu njëri do rritet gjithnjë e më tepër, e tjetri do rrudhet gjithnjë e më tepër.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!