Berisha e di veten fitil në Ballkan

schedule17:10 - 20 Nëntor, 2023

schedule 17:10 - 20 Nëntor, 2023

Në rajonin tonë ka disa ‘Sali’ që vihen në provë kësaj here; si këto, në Bosnjë, në Serbi, në Mal i zi, në Republika Srpska… Flakët në Tiranë, deri më tani, më shumë kanë dhënë sinjalin e ‘barutit të lagur’ se sa të fitilit për rajonin…

Për herë të fundit e provoi sot në sallën e Parlamentit. Por nuk i ndezi; ndezi karrige dhe tavolina, por sa para bën.

Sali Berisha sa herë ka ndezur e ndez zjarre në vend, syrin e ka diku jashtë. Askush nga aleatët e tij nuk reagoi. Madje as ‘Russia Today Tv’, që në fakt është medie që e ndjek nëpër zjarr vënie, nuk u ndie.

Aleatët e Shqipërisë, prej kohësh nuk reagojnë më për ‘lajmet’ nga Berisha.

Sa për aleatët alias Muli e Gazi, që i shkojnë pas, asgjë nuk i ka vlerë, veçse i duhen si ‘torba në prapanicën e kalit’. Këta e dinë thjesht ‘një kalë lufte’, por në fakt Berisha ka rolin e fitilit.

Zjarri sot në sallën e Parlamentit nuk ishte sa për një provë; por ndodhi që nuk ndezi aty ku donte:

Karriges së Bashës ia vuri flakën me qëllim që të zgjonte dikë tjetër: O do të zgjoheshin ata nga Moska që kanë investuar PD-në, me sensin që ‘gabove me Bashën’, ose do të heshtnin. Heshtja moskovite në një parti të paguar prej tyre do të thotë asgjë për sulmin me zjarr nga Berisha.

Gazi që i theu krahun gardistit, vetëm një dekik u nda si ‘Kajo nga komandanti’, dhe në atë moment kreu ‘vrasjen’. Komandanti nuk i beson Gazit se mund të ndezë ndonjë zjarr të madh, prandaj e çon në vepra hapur vrasëse.

Qysh në zgjedhjet e kaluara parlamentare Gazi u akuzua për vrasjen e mjekut Pjerin Xhuvani, dhe prapa tij kishte ‘doktorin’.

Parfumet e zonjave i mbushën me lëndë tymuese, por nuk arriti t’i mbushë me lëndë djegëse. Salla e Kuvendit u mbyt në tym, por për aleatët e Berishës që presin shkëndija lufte, kjo ‘nuk ka vlerë’.

Ka dy arsye pse aleatët e Berishës, që në fakt janë qendra që nuk e duan të mirën e Shqipërisë, nuk  janë të kënaqur me ‘zjarrin tym’ që po ndez ky në Tiranë?

Arsyeja e parë, më e thjeshta: Aleatët ia dinë Berishës se po i mbaron ‘lënda djegëse’. Ky ndodhet në dyert e Drejtësisë për vepra të rënda penale, si person në hetim. Nuk i dihet se si do të marrë drejtimi i tij: Do të burgoset në shtëpi apo në qelitë e 313? Në secilin nga lokacionet ku do të vendoset Berisha si i hetuar e më vonë si i dënuar me burg, nuk do ta ketë mundësinë që të ndezë zjarre as në Parlament, as në bulevarde. Iu duhet shpejtuar.

Arsyeja e dytë, pse aleatët e tij nuk po reagojnë ‘të kënaqur’, lidhet me përshpejtimin e ngjarjeve në rajon:

Presidenti i Ukrainës, Zelensy, u detyrua të flasë me alarm se Rusia po përgatit konfliktin në Ballkan. Nëse nuk përshpejtojnë tani këta të Tiranës, kushdo që është vetëshpallur si anti- Amerikan, atëherë nesër nuk vlejnë më.

Kryeministri i Kosovës, Kurti, gjithashtu, ka njoftuar se në kufi me Serbinë po përgatitet një sulm ushtarak. Edhe sikur Kurti ta thotë për të tërhequr vëmendje ndaj tij, megjithatë Veriu i Kosovës është një ‘kuti floriri’ për zjarrvënësin në Tiranë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO sot ka nisur udhëtim punë në shtetet e Ballkanit me kërkesën për forcimin e sigurisë  dhe ‘mbylljen e portave’ për ndërhyrjen ruse.

Berisha i ka vënë zjarrin disa herë vendit tonë, por ka trazuar edhe rajonin.

Në rajonin tonë ka disa ‘Sali’ që vihen në provë kësaj here; si këto, në Bosnjë, në Serbi, në Mal i zi, në Republika Srpska…

Flakët në Tiranë, deri më tani, më shumë kanë dhënë sinjalin e ‘barutit të lagur’ se sa të fitilit për rajonin.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!