Berisha dorëzohet te drejtësia/ Zheji: Ditë e rëndësishme, sot kemi një shtet që nuk i nënshtrohet kultit të individit

schedule20:19 - 21 Dhjetor, 2023

schedule 20:19 - 21 Dhjetor, 2023

TIRANË- Kuvendi votoi këtë të enjte heqjen e imunitetit të Sali Berishës duke e dorëzuar atë në duar të drejtësisë. Analisti Artur Zheji, tha se kjo është një ditë historike, sepse kjo tregon se sot kemi një shtet, i cili nuk i nënshtrohet kultit dhe forcës së individit.

“Është e rëndësishme, sepse mendoj që më në fund kemi shpresa të kemi një shtet, i cili nuk do jetë një shtet i nënshtruar nën kultin, protagonizmin apo forcën e individit apo klanit të tij”, tha ai.

Ai analizoi në “Real Story” deklaratën e kreut të PL-së, Ilir Meta, i cili doli sot para mediave duke komentuar zhvillimet e politikës dhe goditjen e aleatit të tij, Sali Berishën.

Sipas Zhejit, Meta në fjalën e tij tregoi se nuk i mbështet thirrjet e Berishës për “revolucionin e pretenduar”.

“Dikur ishte një shprehje, që stigmatizonte Metën: Ilir Meta i di vetë punët e veta”, thuhej me dashamirësi. E ndoqa konferencën e shtypit, ishte e ftohtë, e akullt, shumë cerebrale dhe e saktë. Duket në mënyrë elegante ose diplomatike që Meta nuk është dakord me vijën mbrojtëse të doktorit me thirrjet për revolucion apo me të gjitha këto. Ishte e paangazhuar, një deklaratë prej diplomati dhe jo të një politikani, i cili vë pasionin në të njëjtin nivel me objektivat e tij politike”, theksoi ai./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!