Një person, i cili kaloi gabimisht 19 vjet në burg, do të marrë një kompensim rekord prej gati pesë milionë dollarësh të Zelandës së Re, ose 2.7 milionë euro.
Në vitin 1986, Alan Hall u dënua për vrasjen e Arthur Easton dhe plagosjen e djalit të tij Brandon dhe mori një dënim të përjetshëm. Ai ka qenë në burg me ndërprerje për gjithsej 19 vjet dhe dënimi i tij është anuluar vitin e kaluar.
Qeveria ka rënë dakord t’i paguajë atij 4,933,725 dollarë si kompensim për të gjitha ato vite pas hekurave, tha Ministrja e Drejtësisë e Zelandës së Re, Deborah Russell.
“Unë e kuptoj se një falje dhe kompensim nuk do të jetë kurrë në gjendje të korrigjojë plotësisht padrejtësinë që pësoi Hall”, tha ajo.
Familja e Hall u shpreh se gjëja më e rëndësishme ishte njohja e pafajësisë së tij nga qeveria, por theksoi se nëna e tij, Shirley, nuk arriti ta shihte atë.
“Alan ishte 24 vjeç kur u arrestua. Tani ai është 61 vjeç. Me njoftimin e sotëm, Alan mund të fokusohet në atë që i është mohuar me dekada, të ndërtojë jetën e tij si njeri i lirë”, shtuan ata./abcnews.al