“Bëmë një paraqitje të mirë në Evropian”, Duka: Asllani e Broja janë talentët më premtues të Shqipërisë

schedule13:08 - 4 Korrik, 2024

schedule 13:08 - 4 Korrik, 2024

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një intervistë për median italiane “SportItalia” ku ka folur për eksperiencën e Kombëtares shqiptare në Kampionatin Europian, atmosferën fantastike të krijuar nga tifozët shqiptarë në Gjermani dhe për të ardhmen e trajnerit Silvinjo.

Gjithashtu Presidenti Duka ka komentuar dhe Europianin e Kristjan Asllanit i cili ishte një titullar i padiskutueshëm i trajnerit Silvinjo, por edhe të ardhmen e Armando Brojës i cili përflitet për një transferim të mundshëm te Milani.

Në fund kreu i qeverisë së futbollit shqiptar ka folur edhe për marrëdhënien e mirë mes FSHF-së dhe Federatës Italiane e në veçanti me Presidentin Gravina.

Çfarë ju pëlqeu më shumë nga Shqipëria në këtë Kampionat Europian? – Kombëtarja shqiptare ka bërë gjëra në këtë Euro 2024 për të cilat ne duhet të ndihemi krenar, pavarësisht se ishim në “grupin e ferrit”. Dua të falënderoj të gjithë lojtarët që dhanë kontributin e tyre në kualifikuese dhe ata që ishin pjesë e finaleve të turneut. Mendoj se bëmë një paraqitje të mirë në të trija ndeshjet e grupit më përjashtim të rezultateve. Ndaj Italisë, Kroacisë e Spanjës krijuam raste dhe shanse për të marrë më shumë pikë dhe ishim në lojë për t’u kualifikuar deri në sfidën e fundit. Mund edhe ta kishim kaluar grupin me pak më shumë kujdes e zgjuarsi, por eksperienca vlen shumë në këto nivele për të menaxhuar situatat ku presioni është shumë i lartë. Për të mos harruar edhe tifozerinë shqiptare, që ka qenë fantastike gjatë Euro 2024, duke mbështetur skuadrën pa kursim si askush tjetër në këtë Europian. Krijuan një atmosferë të jashtëzakonshme si brenda stadiumeve ashtu edhe jashtë.

Silvinjo? Trajneri i ka përfunduar kontrata pas Europianit, por ne i kemi propozuar rinovimin që në janar. Besoj se së shpejti do e finalizojmë, ne dëshirojmë ta vazhdomë bashkëpunimin. Sylvinho ka shkuar të pushojë disa ditë dhe javën tjetër do të takohemi sërish për të diskutuar këtë temë dhe për të vazhduar punën.

Europiani i Kristjan Asllanit, a ishte në nivelin e Modric, Rodri e Jorginho? – Për mua Asllani ishte padiskutim lojtari më i mirë i Europianit nga Kombëtarja shqiptare. E tregoi që është një nga elementët kyçë të ekipit dhe merrte përsipër regjinë e lojës si të ishte një veteran me shumë eksperiencë.

Kristiani është një nga talentet më premtues të Shqipërisë dhe ka potencial të jashtëzakonshëm, marzhe përmirësimi të mëdha teksa nuk i mungon teknika, vizioni dhe ambicia për t’u bërë lojtar i madh. E tregoi në Euro 2024 që nuk ka asgjë më pak se emrat e mëdhenj të futbollit europian që ju përmendët. Është ende i ri dhe i ka të gjitha shanset për t’u bërë lideri i Kombëtares shqiptare.

A do t’ia rekomandonit Brojën Milanit, i cili është në kërkim të një sulmuesi? – Armando Broja sigurisht është një nga talentet më të mëdha të gjithë historisë së futbollit shqiptar. Unë jam milanist (qesh). Edhe nëse Broja do të mbërrinte në Milanello do kënaqesha dy herë. Do të jetë padiskutim goditja më e fortë që mund të bëjë Milani në merkato. Djali ka të dhëna të jashtëzakonshme, që mendoj se akoma nuk i ka shfaqur plotësisht. Ka nevojë të luajë me klubin dhe mendoj se Serie A dhe Milani paraqesin për të një mundësi e shkëlqyer për t’u ngjitur në majat e futbollit europian.

Ai do të jetë një nga sulmuesit më të mirë në Europë. Jam i bindur se është i gatshëm për ta provuar një eksperiencë në futbollin italian dhe nëse ndodh besoj se do të jetë një histori suksesi.

A do të vazhdojë marrëdhënia e shkëlqyer me Italinë edhe në vitet e ardhshme? – Marrëdhëniet e mira mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Federatës Italiane e veçanërisht Presidentit Gravina janë ndërtuar mbi një bazë të fortë të respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit të frytshëm. Ne kemi punuar ngushtë së bashku në shumë projekte dhe nisma që kanë sjellë përfitime të ndjeshme në aspektin sportiv ashtu edhe në atë social.

Jemi të bindur se këto marrëdhënie të shkëlqyera do të vazhdojnë të përmirësohen dhe të forcohen në vitet që vijnë. Futbolli është një urë e fuqishme që lidh njerëzit dhe kombet, dhe ne do të vazhdojmë të punojmë për të ndërtuar ura të reja dhe për të forcuar ato ekzistuese.

Shqipëria dhe Italia kanë një histori të pasur dhe të gjatë të bashkëpunimit në sport dhe kulturë, dhe unë jam i sigurt se ky bashkëpunim do të vazhdojë të jetë një shembull i shkëlqyer i asaj se si dy vende mund të punojnë së bashku për një qëllim të përbashkët. /FSHF

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!