Kandidati i Lëvizjes Bashkë Fitojmë, Belind Këlliçi ka vijuar me qëndrimin, se nëse zgjidhet në krye të bashkisë së Tiranës do të ofrojë transport falas në kryeqytet. Në një takim me demokristianët Belind Këlliçi tha se fton në një debat publik kryebashkiakun aktual Erjon Veliaj.
Këllici ka shpalosur premtimet elektorale përballë demokristianëve, pjesë e koalicionit Bashkë fitojmë. Kandidati Këllici ka ripësëritur faktin se nëse zgjidhet në krye të bashkisë së Tiranës do të ofroj transport publik falas për 200 mijë qytetarë.
“Autobusi pas 14 majit do të jetë falas pa pagesë. Kjo është e realizueshme. A e dini çfarë benefiti është kjo për qytetarët? Janë 200 mijë qytetarë në ditë në Tiranë që përdorin shërbimin e autobusit. Për ato familjet që janë në kushte të vështira ekonomike, për ato familje që u duhet të marrin dy linja urbani në ditë për të shkuar në vendin e punës, kjo masë u kursen 52 mijë lekë në muaj”, tha Këlliçi.
Ndërkohë një ftesë për debat publik e ka edhe për kryetarin aktual të bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj.
“Dhe gjej rastin përsëri këtu nga platforma e Demokristianëve, t`i shtroi dorën për një ftesë Erion Veliajt, për të ardhur në debat publik, për të ardhur këtu me ju, për ta zgjedhur ai vendin, orën, mediat, platformën, pyetjet, çështjet për çfarë të dojë ai. Duke nisur nga edukimi ynë, për të vazhduar te problemet e Tiranës, për të folur për qytetarët”, tha ai.
Belind Këlliçi prezantoi para anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokristiane, 5 prioritetet e tij për drejtimin e Tiranës, duke vënë theksin te: transporti publik falas, ulja e taksave për biznesin e vogël dhe të mesëm si dhe hapja e nënkalimit te “Sheshi Skënderbej”./abcnews.al

