Belishova e Mallakastrës thuajse e braktisur, banorët e pakët mbijetojnë falë qershive

schedule14:09 - 6 Qershor, 2020

schedule 14:09 - 6 Qershor, 2020

Mes ngjyrave të forta të pemëve të qershive, shtëpitë e braktisura të Belishovës në Mallakastër tregojnë ikjen masive të banorëve të saj.

Në fshatin që dikur ishte qendër e rëndësishme ekonomike e zonës, kanë mbetur me më pak se 100 banorë.

Po të mos ishte për qershitë falë të cilave sigurojnë mbijetesën dhe këta banorë të pakët mund të kishin ikur.

Ka dhe banorë si Sabriu që rikthehet në sezonin e të vjelave.

Sabri Ahmeti me familjen janë zhvendosur përpara 10 vitesh në Fier.

Prej disa javësh ndodhen në fshat për vjeljen e qershive.

Një punë, që siç thotë, është e pashpërblyer për shkak të çmimit të ulët me të cilën shesin produktin.

“Shteti po të dojë i rregullon çmimet. Ata që i tregtojnë na i vënë vetë çmimet. Për fshatarin shteti s’do t’ja dijë në ka vdekur apo jeton”, thotë Ahmeti.

Situatës së vështirë të tregjeve për produktet vendase i shtohen edhe pasojat e pandemisë duke çuar në përgjysmim të çmimit të qershisë krahasuar me vitin e kaluar.

“Prej virusi nuk e çojmë dot vetë në treg. Vijnë e marrin këtu me 100 lekë dhe e shesin me 200”.

Largimin e banorëve për shkak të kushteve të vështira të jetesës, e vulosi mbyllja e shkollës 9 vjeçare.

30 nxënësit e mbetur nga 600 që frekuentonin shkollën e fshatit, prej 5 vitesh ndjekin mësimin në shkollat e zonës përreth dhe Ballsh, me shpenzimet e prindërve.

“I shkollojmë fëmijët në Ballsh dhe në fshatin Kosovë me paratë tona”, thotë Festim Hoxhaj kryeplak i fshatit.

Tubot plastike që përshkojnë gjithë fshatin tregojnë se ujin banorët e sigurojnë vetë ndërsa shërbimi shëndetësor nuk ekziston.

“S’kemi qendër shëndetësore, kur ka të sëmurë i marrim dy infermiere dhe ju hap shtëpinë time”, thotë kryeplaku.

Në Belishovë ka më shumë se 10 ha tokë vetëm me pemë qershie.

Pjesa tjetër është me ullinj, vreshta dhe arrorë.

Deri 30 vite më parë fshati Belishovë numëronte 2 mijë banorë, ndërsa sot nuk janë më shumë se 100./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!