Për më shumë se 2 orë deputeti i Partisë Demokratike Belind Kelliçi dha dëshminë e tij në prokurorinë e posaçme. Këlliçi dha sqarime në lidhje me një kallëzim të regjistruar në SPAK me dyshimin se ka falsifikuar diplomën e gjimnazit dhe ka kryer deklarim të rremë. Pas daljes nga prokuroria, deputeti demokrat tregoi se është thirrur për të dhënë sqarime në lidhje me këtë kallëzim.
“Të vërtetën e kam thënë publikisht, e kam sqaruar para mediave, e kanë sqaruar edhe gazetarë që kanë ndjekur çështjen, e kam sqaruar edhe para SPAK. Kjo është çështje që është ezuauruar nga mediat, në 2021, në 2023, nuk kam ndërmend të jap sqarime. Ato sqarime që i kam dhënë më shkrim pranë SPAK. Arsimi dhe edukimi im është një nga krenaritë më të mëdha.”
Po kështu Këlliçi tregoi se është pyetur në prokurorinë e posaçme edhe mbi hetimet për pasurinë ndaj tij dhe familjarëve, por nuk dha më shumë detaje me argumentin e ruajtjes së sekretit hetimor.
“Më është kërkuar për disa detaje të hetimit që të mos shprehem publikisht. Jam pyetur për çdo gjë, për partneren time që unë dal në media publikisht dhe them që nuk bashkëjetoj me të dhe nuk jemi bashkë dhe ajo po kujdeset për familjen e saj, për vëllanë e saj. Pyetem sikur kam deklaruar që them se bashkëjetoj me të”./abcnews.al