Përtej politikës, shumë pak dihet për jetën personale të Bellind Këlliçit. Kreu i Forumit Rinor të PD-së, ndau detaje nga pasioni i tij, sportin e tenisit, të cilin e ka praktikuar prej shumë vitesh. Për moderatorin Eni Shehu në emisionin “Nuk është karantinë”, Belindi tregoi anën e tij të panjohur teksa u shpreh se gjatë qëndrimit në Amerikë ka qenë pjesë e një ekipi tenisi.
“Im vëlla ka qenë promotori dhe mësuesi që në moshë të vogël, por më pas dhe në Amerikë se kam patur fatin ta praktikoj. Kjo është bluza që kam patur në ekipin e tenisit në Amerikë ku për një vit kam patur dhe vëllain si trajner.
Për shkak të angazhimeve dhe axhendës së ngjeshur nuk më është krijuar mundësia ta praktikoj por është një dashuri dhe ndjesi që nuk humbet kurrë. E kam praktikuar 24 vite dhe është e pamundur që ta humbas. Niveli i lojës venitet, por pasioni është aty, reflekset dhe ndjesia është aty.“, u shpreh Belindi.
Por çfarë e bashkon sipas tij politikën me sportin? “Lidhet tek ambicia personale, tek të qenurit pjesë e një ekipi, pjesë e një gare që në fund të ditës nxjerr në pah individualitetin dhe ti do që ekipi të fitojë. Tenisi është një nga sportet e vetme që ka dhe pjesën individuale dhe atë në ekip, ambicia për të fituar, dëshira për t’ja arritur qëllimit transferohet nga sporti në politikë.”. u shpreh ai. /abcnews.al