Belgjikë, Presidenti i shkarkuar i Katalonjës akuzon Spanjën

schedule22:41 - 7 Nëntor, 2017

schedule 22:41 - 7 Nëntor, 2017

Presidenti i shkarkuar i Katalonjës, Karles Puçdemon ka akuzuar Spanjën duke thënë se është një shtet fashist që të fut frikën. Në një prenoncim në prani të 200 kryebashkiakëve pro pavarësisë, ai kritikoi ashpër dhe Bashkimin Europian.

“Spanja është një shtet që të futë frikën”. Kështu është shprehur presidenti i shkarkuar i Katalonjës, Karles Puçdemon duke folur për “fashizëm” dhe “grusht shteti kundër një qeverie legjitime” në praninë e 200 kryebashkiakëve të mbërritur në Bruksel për të mbështetur pavarësinë e rajonit nga Spanja. Ish-lideri është shprehur i përgatitur për të përfunduar në burgjet spanjolle, në rast se Belgjika do të pranojë kërkesën për ekstradim. Gjithashtu Puçdemon thekson se do të apelojë vendimin e Spanjës në gjykata ndërkombëtare. “Europa nuk mund të mbajë një qeveri të tërë në burg apo në ekzil”, shton lideri separatist.

Ndër të tjera denuncoi se ish-ministrat e tij janë keqtrajtuar në burg. “Spanja do të japë llogari”, thotë Puçdemon. Sipas ish-presidentit të Katalonjës, ekzili i tij në Belgjikë është një strategji për të ndërkombëtarizuar atë çfarë po ndodh në rajonin autonom, një çështje që sipas tij i përket “të drejtave të njeriut dhe demokracisë”. “Bëhet fjalë për të administruar në mënyrën më të mirë të mundshme mbrojtjen e të drejtave tona, jo individuale por të qeverisë së Katalonjës”, nënvizon ai.

Lideri separatist ka kritikuar edhe heshtjen e Bashkimit Europian për dhunimin e të drejtave themelore në Katalonjë duke deklaruar se ekziston “një ndarje mes interesave të qytetarëve dhe elitës europiane”. Madje Puçdemon shtroi pyetjen nëse BE do të vazhdojë të ndihmojë qeverinë spanjolle në këtë grusht shteti kundër Katalonjës.

Në sajë të zgjedhjeve të 21 dhjetorit, ai lëshoi një apel për të gjitha forcat politike katalanase, që mbështesin pavarësinë, për të formuar një “listë të madhe për lirinë”. Ndërkohë, që prej 30 tetorit, presidenti i shkarkuar gjendet në Belgjikë bashkë me 4 ish-ministra të qeverisë së tij. Ndaj tyre do të zhvillohet séanca e parë gjyqësore me 17 nëntor për të shqyrtuar urdhër-arrestin europian të lëshuar nga Spanja./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!