Gjashtë shqiptarë janë arrestuar paraditen e kësaj të hëne nga Policia belge. Ata dyshohet se merreshin me trafikim të lëndëve narkotike përmes portit Antwerpen e duke e shpërndarë më pas në gjithë Evropën.
Sipas asaj që shkruajnë mediat Belge , hetimi për organizatën kriminale nisi në vitin 2023, pasi Policia mori informacione për një grup shqiptarësh që do të importonin kokainë nga një ndërtesë në Somersstraat nëpërmjet portit të Antwerpen.
Gjatë hetimit të gjerë nga Policia Gjyqësore Federale ne Antwerp, efektivët gjetën edhe një laborator ku kokaina rishtypej dhe paketohej. Nga atje, kokaina do të tregtohej më tej në të gjithë Evropën.
“Me udhëzimin e gjyqtarit hetues, janë kryer 5 kontrolle në Antwerp, Berchem dhe Borgerhout. Gjatë kontrollit në Somersstraat, pranë Stacionit Qendror, u gjetën kimikate, një presë, logo dhe material paketimi.
Gjashtë persona të moshave 22 deri në 57 vjeç u sollën para gjykatësit hetues pas marrjes në pyetje. Të gjashtë u arrestuan dhe u dërguan në burg”, tha Zëdhënësi i prokurorisë publike të Antwerpen, Kristof Aerts, raportojnë mediet belge.
Të dyshuarit do të dalin para gjykatës të martën. Ndërkohë vijon hetimi gjyqësor./abcnews.al