Gjykata e Shkallës së Parë në Belgjikë ka shtyrë vendimin për ekstradimin e presidentit të shkarkuar të Katalonjës dhe për 4 ish-ministra të qeverisë së tij. Seanca e radhës për shqyrtimin e drejtësisë spanjolle do të zhvillohet me 4 dhjetor.
Gjykata belge, të cilës i është besuar shqyrtimi i kërkesë nga Spanja për ekstradim të ish-presidentit të Katalonjës, Karles Puçdemon dhe 4 ish-ministrave të qeverisë së tij, ka bërë me dije se nuk do të vendosë për këtë çështje më parë se 4 dhjetori. Lideri separatist dhe 4 pjesëtarët e ekzekutivit të shkarkuar u paraqitën pasditën e së premtes në gjykatën e shkallës së parë në Bruskel për të dëshmuar në një seancë me dyer të mbyllura.
Ardhja e tyre ka qenë diskrete, larg nga kamerat, dhe as ata, as avokatët e tyre nuk kanë bërë deklarata në hyrje. Sesioni zgjati rreth një orë dhe avokatët kanë dhënë disa detaje në dalje. Ata thanë se po mbrohen duke përdorur shkeljen e mundshme të të drejtave themelore që Puçdemon dhe ish-ministrat e tij mund të vuajnë nëse transferohen në Spanjë. Por analistët mendojnë se ky fakt do të jetë shumë i vështirë për tu pranuar nga drejtësia belge pasi nuk mund të pretendohet që të drejtat e njeriut të shkelen në një vend brenda Bashkimit Europian. Seanca e parë erdhi me kërkesë të prokurorisë së Brukselit që kërkon dërgimin e zyrtarëve separatistë në Madrid për shkak të urdhër-arrestit europian të lëshuar nga Gjyakata spanjolle.
Lideri i shkarkuar i Katalonjës dhe ish-ministrat e qeverisë së tij akuzohen nga prokuroria e Spanjës për rebelim, kryengritje dhe shpërdorim fondesh publike. Të gjithë këto akuza lidhen me organizimin e referendumit për pavarësi të Katalonjës të zhvilluar me 1 tetor. Të pestë do të paraqiten përsëri në Gjykatën e Shkallës së Parë në Bruksel për tu mbrojtur nga kërkesa për ekstradim. Nuk është e qartë nëse vendimi do të jepet me 4 dhjetor kur është caktuar dhe seanca e radhës, por avokatët mbrojtës shprehen se asnjë ekstradim nuk do të bëhet para janarit. Në këtë mënyrë Puçdemon dhe ish-ministrat nuk do të paraqiten tek drejtësia spanjolle para zgjedhjeve të parakohëshme që zhvillohen në Katalonjë me 21 dhjetor. Në këto zgjedhje Puçdemon është kandidat në listën “Së bashku për Katalonjën”./abcnews.al