Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Belgjika rihap bizneset më 1 dhjetor

schedule09:14 - 28 Nëntor, 2020

schedule 09:14 - 28 Nëntor, 2020

Bizneset do të rihapen në Belgjikë nga 1 dhjetori, ndërkohë që bllokimi i pjesshëm do të mbetet në fuqi, ka njoftuar dje kryeministri belg, Alexander De Croo.

“Nga 1 dhjetori, dyqanet do të mund të rihapen”, tha ai në një fjalim në televizionin shtetëror.

“Situata në vendin tonë po përmirësohet, por është e rëndësishme të ruajmë këtë ritëm”, shtoi kreu i qeverisë belge.

Baret, restorantet dhe kafenetë do të jenë të mbyllura dhe njerëzit do të vazhdojnë të punojnë nga shtëpia  në rastet kur është e mundur që të kufizojnë kontaktet shoqërore. Një shtetrrethim nga mesnata në 5:00 të mëngjesit (2300-0400 GMT) gjithashtu do të mbetet në vend.

Kryeministri gjithashtu këshilloi njerëzit që të mos udhëtojnë në vende të tjera ku ka rritje të rasteve me Covid-19 dhe tha se do të vendosen kontrollet kufitare dhe karantina për udhëtarët që kthehen nga pikat e nxehta.

Gjithashtu, De Croo i paralajmëroi belgët se festimet e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri do të ishin ndryshe këtë vit.

Një mesatare prej 2,765 rastesh ditore janë regjistruar javën e kaluar. Numri i shtrimeve  në spital është përgjysmuar në dy javët e fundit dhe aktualisht ka 4,395 njerëz të shtruar në spital nga 7,500 në fillim të muajit.

Numri i pacientëve me koronavirus në kujdesin intensiv mbetet 1,034, nga një kulm prej gati 1,500 më 9 nëntor.

Më shumë se 16,300 njerëz kanë vdekur nga koronavirusi në Belgjikë që nga fillimi i pandemisë, përfshirë 142 në një ditë të vetme të enjten./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!