Gjatë konferencës për shtyp të dhënë në prag të sfidës ndaj Zrinjskin që do të luhet nesër në orën 20:00 në “Air Albania” dhe që është e vlefshme për raundin e dytë të Conference League, portieri Visar Bekaj theksoi se janë përgatitur dhe e kanë analizuar kundërshtarin, ndërsa shton se shpreson që këtë herë të dalin fitues.
Eliminimi nga Champions League: Edhe unë marr përgjegjësitë e mia dhe mendoj se kam atë kualitet që mund t’i ndaloja ato gola, jam aty për të ndihmuar ekipin.
Gjendja e skuadrës: Psikologjikisht kemi qenë pak keq, gjatë ditëve normalizohet situata, s’kemi kohë te merremi me ndeshjen që ka kaluar, tashmë duhet të fokusohemi te ndeshja që kemi para.
E keni analizuar kundërshtarin? Ne mundemi të bëjmë më mirë, sadopak e kemi analizuar kundërshtarin, e kemi nënvlerësuar pak më shumë seç duhet, por shpresoj që në këtë ndeshje të jemi më mirë.
Si po përgatiteni për ndeshjen me Zrinjskin? Duhet të kemi kujdes, nuk duhet të nxitojmë, të jemi të bashkuar, të kemi besim, siç kemi qenë në kampionat.
Si ju duket kundërshtari? Ne duhet ta vlerësojmë kundërshtarin, po shpresoj që në këtë ndeshje të mos ketë çfarë ka bërë në të kaluarën, por të fokusohemi te ndeshja.
E keni analizuar siç duhet? E kemi analizuar shumë dhe shpresoj ta kalojmë.
Çfarë ju tha trajneri pas ndeshjes me Dudelange dhe çfarë këshille ju ka dhënë për ndeshjen e radhës? Na qetësoi dhe na tha që kjo është një mungesë eksperience, por edhe më herët na ka thënë që 20% duhet të fitojmë me të kaluarën dhe 80% me të ardhmen, duhet të përmirësojmë gabimet që kemi bërë në atë ndeshje dhe të ecim përpara. /f.a/abcnews.al