Visar Bekaj, portieri i afruar te Tirana merkaton e fundit, është pjesë e panelit të emisionit “Pressing” në ABC. Futbollisti dardan, në ndeshjen e fundit me Laçin ishte vendimtar me pritjet e tij, madje amerikanin e ndali pasi gjuajti nga pika e bardhë e penalltisë.
Fillimisht ai u pyet në lidhje me Superioren dhe këto javë të para dhe Bekaj u shpreh: “Ekipet janë aty-aty, edhe me Kastriotin të gjithë e kanë pasur të vështirë. Shpresojmë të vazhdojmë kështu. Nga vendi i parë në vendin e shtatë jemi në luftë për Europë. Është herët të flasim, atmosfera është e mirë te ne.”
“Vllaznia e Kukësi kanë kualitet, sikurse edhe Laçi e Teuta. Jemi aty-aty. Ne si Tiranë shkojmë ndeshje pas ndeshje, finalen e dytë e kemi me Apoloninë”, shtoi portieri, i cili është edhe pjesë e përfaqësueses së Kosovës dhe në Superiore erdhi nga Prishtina.
“Fitorja në Laç na motivon shumë. Uroj të vazhdojmë kështu. Mua më kanë pritur shumë mirë në ekip, ndoshta bojkoti më ka ndihmuar. Loja në Laç? Pjesën e dytë luajtëm më mirë, ndoshta në pjesën e parë patëm një ngërç. Besoj se e morëm me meritë fitoren. Në Laç është e vështirë, edhe kushtet atmosferike nuk ishin të mira”.
“Tirana do gjithmonë titullin dhe presioni ndihet. E dinim se ishte ndeshje e vështirë në Laç. Mendonim se ata kishin më shumë presion. Ishim të motivuar. Objektivi tani është fitorja me Apoloninë dhe më pas mendojmë për ndeshjen e radhës.
“E kam studiuar Nwabueze, ai pret portieri të reagojë përpara. Ka qenë të Drita dhe nuk më ka shënuar. Besoj se ia dola, e fitova përballjen me të, se më pyetën edhe në konferencë. Meritat më së paku i kam unë, ekipi ka më shumë merita. Unë për këtë punë kam ardhur te Tirana. Goli që më ka mbet peng? Ai i Dungës. Ato raste të bëjnë edhe më të fortë”. /abcnews.al