“Bëjmë detyrat e shtëpisë”, Rama në Lezhë për t’u njohur me projektin pilot

schedule19:42 - 5 Shkurt, 2018

schedule 19:42 - 5 Shkurt, 2018

“Bëjmë detyrat e shtëpisë” është nisma më e re e Ministrisë së Arsmit, Sportit e Rinisë. Kryeministri Edi Rama dhe ministrja Lindita Nikolla shkuan në shkollën “Beslidhja” në Lezhë të parë implementimin e këtij projekti.

Nuk është orë mësimi, nxënësit e shkollës Besëlidhja në Lezhë po bëjnë detyrat e shtëpisë.

Ky është projekti më i ri i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Një vizitor i rëndësishëm shkoi në çdo klasë për t’i pyetur drejtpërdrejtë nëse ia vlen kjo nismë.

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ndërsa shpjegoi projektin, tha se do të monitorohet progresi i nxënësve dhe do të vlerësohen arritjet në çdo lëndë, për ta shtrirë më pas në të gjitha shkollat e Shqipërisë.

Lindita Nikolla: “Programi ndihmon shumë fëmijët dhe zhduk pabarazinë midis një fëmije, i cili ka mundësi që prindi ta ndihmojë dhe atij që se ka. Është një hap përpara për ta kaluar barrën e cilësisë dhe të përgatitjes dhe gjithçka tjetër, nga familja drejt shkollës, aty ku në fakt është vendi dhe përgjegjësia.”

Nisma duket se është mirëpritur nga fëmijët, por edhe nga mësuesit e prindërit.

“Që në fillim që është prezantuar nisma, ne kemi qënë të gatshëm që të bëhemi pjesë e saj. Është mirëpritur nga prindërit dhe më e rëndësishmja është mirëpritur nga fëmijët. Këtë e tregon edhe numri i madh i fëmijëve. Në qoftë se në klasë kam 30 nxënës, tek kjo nismë marrin pjesë 22 nxënës që vijnë dhe përgatiten çdo pasdite. Numri vjen në rritje çdo ditë. Fëmijët janë më të qetë, shkojnë më të qetë në shtëpi”.

Nisma pilotohet këtë vit shkollor në 20 shkolla 9-vjeçare të pesë prej Drejtorive Arsimore Rajonale më të mëdha të vendit: Tiranë, Elbasan, Lezhë, Fier dhe Korçë./abcnews.al