TIRANË- Kandidati i Partisë Demokratike për Tiranën, Roland Bejko u bëri thirrje qytetareve të refuzojnë klasën e vjetër politike. Nga studioja e ABC News, Bejko u shpreh se ai është alternativa e duhur për të gjithë qytetarët e Tiranës, ndërsa tha se ndryshe nga kundërshtarët e tij, ai është i pa kapur nga oligarkët dhe nga krimi.
“Që të shpëtojë Tirana, duhet të shpëtojë prej tyre. Qytetarët janë të mërzitur se kjo klasë ë shpifur politike ua ka mërzitur jetën qytetarëve dhe u ka ngushtuar çdo hapësirë. Në fund, kush janë ata që fitojnë janë oligarkët e të dyja palëve. Oligarkët i kanë të dyja palët. Këta tallen me qytetarët. Më 14 maj, qytetarët shqiptarë t’i bien me grusht këtij sistemi dhe kandidati më i mirë për ta bërë këtë dhe për ta mbështetur atë gjë jam unë, sepse unë jam i pa kapur nga oligarkët, i pa kapur me krimi, jam i distancuar nga politika e vjetër, dhe ne jemi alternativa e së ardhmes, sepse ekipi ynë është ekip i pastër”, tha ai.
Ai i ftoi demokratët të votojnë Partinë Demokratike, pasi një votë për koalicionin “Bashkë Fitojmë” do fuqizonte vetëm Ilir Metën dhe jo demokratët.
“Refuzoni këtë klasë të vjetër politike më 14 maj, ata janë e shkuar. Votoni Roland Bejkon dhe Partinë Demokratike. Këtu ftohen të gjithë demokratët, që mos të bëjnë faktor Ilir Metën duke votuar koalicionin “Bashkë Fitojmë”, tha ai.