Bejko i përgjigjet Berishës: Njëri nga ata që më sulmoi është ish-punonjës i SHISH

schedule20:06 - 9 Janar, 2022

schedule 20:06 - 9 Janar, 2022

Anëtari i Kryesisë i Partisë Demokratike, Roland Bejko i është përgjigjur ish-kryeministrit Sali Berisha. Ky i fundit komentoi dhunimin e Bejkos nga mbështetësit e tij ditën e djeshme, duke e cilësuar si “keqkuptim mes miqsh”.

Në një shënim të gjatë, Bejko thotë se një nga personat që e ka dhunuar është shumë i afërt me Berishën, ish-punonjës i SHISH dhe doganës. Bejko thekson më tej se i fal protestuesit që i goditën, sepse sipas tij fajtori është vetëm një, Sali Berisha, që sipas tij tradhtoi besimin e demokratëve dhe i përdori si mish për to, njëjtë siç veproi edhe kryeministri Edi Rama në protestën e 21 janarit.

Reagimi i plotë:

Roland Bejko: Sqarim për opinionin publik.

Sot dëgjova nëpërmjet mediave që z. Sali Berisha ka thënë nga vendi i krimit pranë selisë së shkatëruar të Partisë Demokratike pas revolucionit të tij të “qetë” dhe “paqësor”, se goditjet, sharjet, ofendimet që bënë dje njerëzit e tij mbi personin tim, ishin thjesht një keqkuptim midis njerëzish të njohur, miq familjarë që kanë ngrënë bukë në shtëpinë e njëri-tjetrit… etj.

Lipset të sqaroj opinionin publik, (jo Sali Berishën dhe mbështetësit e tij, se ata janë të qartë), se midis shumë personave që më qëllonin pas shpine, nga këmbët dhe pas qafës, dallova edhe një fytyrë që e njihja, por që emri i të cilit nuk më kujtohet.

Sqaroj se këtë person e kam takuar midis viteve 1998-2005 kur vinte në Gjirokastër me disa të tjerë tropojanë, për të cilët ruaj miqësi dhe respekt, si njeri i afërt i Doktorit. ( Në atë kohë unë isha kryetar i PD-së aty, dhe më vonë anëtar i kryesisë së PDSH-së, pra bashkëpunëtor i afërt i z. Berisha deri në 2005.) Si të tillë unë i prisja të gjithë me nderet e mikut për respekt të tyre dhe të z.Berisha, me dreka e darka.

Sa herë që z. Berisha vinte në jug, edhe ky tipi, ishte gjithmonë pas tij. Ne, si gjithmonë ua shtronim me të ngrëna e të pira.

Pra ajo lëtyra që ngriti dorën mbi mua, të cilit ia thash në sy, “edhe ti Brut?!”, nuk ishte miku im “familjar”, por një fytyrë e njohur, njeri i Sali Berishës, ish punonjës i SHIK dhe policisë doganore. Atij njeriu, unë nuk i kam ndonjë borxh, as ai mua deri dje, prandaj ai nuk kishte asnjë arsye personale për të ngritur dorën në pabesi e në mes të turmës, ndaj meje. Ai ishte aty pasi i ishte përgjigjur thirrjes së Sali Berishës për të pushtuar dhunshëm selinë e PD-së. Ai ishte aty sepse Sali Berisha i ka premtuar se po të nxirrnin Bashën dje nga zyrat, pas gjashtë muajsh do rrëzojë edhe Ramën dhe do ta sjellë PD-në në pushtet. Dhe ata me të drejtë duan punë, duan pushtet. Sali Berisha e di mirë ç’do të thotë t’i jepësh dikujt shpresën dhe pastaj shiko se çfarë është në gjendje të bëjë i pashpresi për ty!

Në sytë e tij dhe të gjithë atyre që më sulmuan, unë pashë urrejtje. Fytyrat e të gjithë atyre që më skërmitnin dhëmbët me urrejtje, nuk ishin të tyre, ishin fytyra e Sali Berishës, po kështu edhe mendja. Kjo ishte arsyeja pse nuk ndieva frikë. Fare. Provova gjithfarë lloj emocionesh në ato çaste. Por atë të frikës, fare  sepse ata njerëz dje mendonin me trurin e Sali Berishës. Çfardo që t’u thoje, ishte e kotë. Nuk të kuptonin. Vetëm gjuanin, të skërmiteshin në fytyrë, të shanin, të shtynin. Pashë urrejtje në fytyrat e tyre, sepse Sali Berisha na ka idendifikuar të gjithëve ne që jemi kundër tij, si armiq. Dhe armikut duhet ti çahet kafka.

Ai më qëlloi mua dje, pavarësisht mishit të pjekur që ka ngrënë në Gjirokastër kur vinte si njeriu i Doktorit, dhe që unë i prisja me pekule, me nderet e mikut, jo se kish ndonjë hesap të pa mbyllur me mua, por sepse Sali Berisha kishte vendosur ta përdorte besimin e tyre tek ai si mish për top, si Edi Rama të vetët në 21 Janar.

Kështu që vetëm një killer gjakftohtë i kthyer në vendin e krimit siç bëri Sali Berisha sot, mund ta thotë me një qetësi olimpike atë që më ka ndodhur mua, njërit prej mbështetësve të tij më të fortë në ditët e tij më të errëta të karrierës së tij politike të viteve 1997-2005, veç të tjerash. Mua pra, studentit të Dhjetorit 90, të dekoruarit prej tij me “Medaljen e Trimërisë”, ish prefektit të shtetit të tij, ish themeluesit të Shkollës Shqiptare të Administrstës Publike, ASPA, etj.etj.

Unë nuk jam i pari, e di.

Sali Berisha këtë sjellje e ka bërë edhe me Azem Hajdarin, Gramoz Pashkon, Neritan Cekën, Arben Imamin, Eduart Selamin, Genc Rulin, Tomor Dostin, Leka Toton, Alfred Sereqin, Albert Brojkën, Vrionin, Pollon, Xhaferin, Tritan Shehun, Leonard Demin, Bamir Topin, etj, etj, etj, pra, i ka rrahur, e denigruar me njerëzit e vet të gjithë ata që i kanë dalë kundër në një moment të caktuar politik. Por, shpresoj të jem i fundit që rihet nga kamikazët e tij.

Në një situatë të tillë, nën dhunën e të turmës së egërsuar e kam gjetur veten vetëm në shkurt të vitit 1991, kohë kur “vullnetarët e Enverit” na sulmuan ne studentëve në universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës gjatë kohës kur po zhvillonim grevën tonë kundër diktaturës në vendlindjen e diktatorit. Por 31 vite më parë na sulmuan e na rahën “vullnetarët e Enverit” , ndërsa sot 31 vite më pas u gjeta i sulmuar nga “vullnetarët e Saliut”.  ( I distancoj nga demokratët paqësor që ishin aty rrotull dhe që u distancuan prej dhunës.)

Gjithsesi, unë i kam falur të gjithë ata që dje përfituan nga eksitimi i turmës, dhe guxuan të më qëllonin duke më shkaktuar hematoma në trup e shoqëruar kjo me vjellje dhe dhimbje të forta koke e brinjësh. Nuk kam bërë dhe nuk bëj padi për asnjë.

I kam falur sepse fajtori i vërtetë është ai që i ka organizuar dhe i ka nxitur të jenë të dhunshëm ndaj atyre që nuk e pranojnë kthimin e tij në krye të PD-së. Dhuna verbale që ushtronte për muaj të tërë  Z.Berisha në foltoret dhe para kemerave, do reflektohej patjetër një ditë në dhunë fizike ndaj “armiqve” personalë nga idhtarët e tij. Pra, i vetmi fajtor për dhunën është frymëzuesi i saj Sali Berisha.

Nuk kam ça them më shumë, veçse ti qofsh o Sali Berisha, një burrë plak 77 vjeçar që për interesat e tua personale je duke i bërë gjëmën  PD-së. Je duke i bërë demokratët, anëtarët e një familjeje politike që kanë ndarë së bashku ditë të vështira, dhe për 31 vite me rradhë të kanë mbështetur pa kushte mes sakrificash të pamata, të vriten me njëri-tjetrin.

Për vitet e shumta që kemi ndarë së bashku, pavarësisht qëndrimeve të mia politike kundër rikthimit tënd në krye të PD-së pasi je shpallur “non grata”, do ishte në nderin tënd, por edhe të bashkëpunëtorëve të tu, ish miq të mi, në mos të më telefononit për të pyetur për shëndetin, të paktën të ishit distancuar formalisht nga dhuna që e panë të gjithë live në tv, si ndodhi.

Kaq e meritoja, për aq mbështetje sa të kam dhënë në ditët e tua më të vështira të 1997-2005, z. Berisha.

Por ti nuk mund ta pranosh që ndaj meje u ushtrua dhunë nga njerëzit e tu sepse të bie alibia e “revolucionit paqësor” që ska gjethe fiku, florianë a fjorentinë që ta mbulojë dhunën dhe krimin ndaj selisë së PD-së dhe demokratëve me format, nurin dhe hiret e veta.

Ti dje i gënjeve përsëri mbështetësit e tu. Ty të dështoi me turp “grushti i shtetit” për t’u bërë me dhunë kryetar i PD-së. Kështu që përditë e më shumë do të mbeten gjithnjë e më pak ndjekës në aksionet e tua të marrëzisë që për interesa pesonale po i vë flakën gjithçka që të pengon në qëllimet e tua.

Politikani mendon për pushtetin personal, thotë dikush, burri i shtetit për gjeneratat.

Detajet humane të bëjnë burrë shteti më shumë se sa aktet politike.  Së fundmi ty të mungojnë të dyja për fat të keq.

Ps. 1. Falenderoj Zotin e madhërishëm së pari dhe pastaj nga zemra falenderoj edhe tre demokratët tropojanë që më ndihmuan dje t’u shpëtoja thonjve të njerëzve iracionalë dhe i ftoj për kafe pas qetësimit të “gjakrave” pavarësisht se kë mbështesin. Kjo nuk më intereson.

  1. Do t’u bëj bllok dhe do t’i fshij të gjitha komentet që do më shqetësojnë. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!