Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, mori pjesë sot në panairin ndërkombëtar të bujqësisë në Lushnje, të cilin e konsideroi tregues të partneritetit të prodhuesve shqiptarë me ata të huaj, si dhe arritje të konkurrueshmërisë së produkteve tona në tregjet ndërkombëtare.
Ai bisedoi me fermerë, blegtorë dhe sipërmarrës për nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit mes tyre dhe aktorëve kryesorë të këtij sektori, me synim zhvillimin e bujqësisë edhe ruajtjen e cilësisë dhe sigurisë së produkteve. ”Produktet bujqësore Made in Albania duhet të jenë edhe krenari kombëtare. I kemi të gjitha mundësitë. Tashmë, duhet vendosmëri për të vijuar punën e nisur dhe dashuri për këtë tokë”, u shpreh Kreu i Shtetit.
Presidenti Begaj vlerësoi faktin që Lushnja është zgjedhur këtë vit mikpritëse e dhjetëra bizneseve bujqësore dhe prodhuese shqiptare e ndërkombëtare.
“Myzeqeja, u shpreh Presidenti Begaj, është në një nga trevat më bujqësore të vendit dhe lushnjarët, me dashurinë dhe punën e tyre të palodhur, kanë kultivuar brez pas brezi një marrëdhënie të ngushtë me tokën dhe prodhimet e tyre janë pjesë e tryezave mbarë shqiptare”.
Duke theksuar rëndësinë e bujqësisë për ekonominë shqiptare, mirëqenien dhe punësimin, Presidenti i Republikës theksoi se, krahas strategjisë afatgjatë, duhet të aplikohen skema dinamike që ofrojnë zgjidhje përballë sfidave të kohës, ku më emergjente është lëvizja demografike dhe emigracioni.
”Largimi nga fshati nuk vjen nga joshja e dritave të qytetit, brenda apo jashtë vendit, por nga pamundësia për një mënyrë jetese që sjell jo vetëm arritje personale, por kontribuon edhe në mirëqenien e shoqërisë”, u shpreh Presidenti Begaj.
Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës shprehu mirënjohje për ekspertët e bujqësisë dhe për ata shqiptarë që pas emigracionit u janë rikthyer tokave, një rol të cilin e vlerësoi si patriotik, duke garantuar mbështetjen e tij për fuqizimin e sipërmarrjeve private, në mënyrë që mundi i fermerit dhe blegtorit të shpërblehet.
Kreu i Shtetit, veç vizitës në stendat e panairit në Lushnje, shkoi edhe në fermën e Grames, të pajisur me teknikat e reja të kultivimit të perimeve në serra, nga ku u shpreh se përmes investimeve të tilla arrihet përmirësimi i standardeve të prodhimit dhe zhvillimi i ekonomisë rurale. /abcnews.al