BE: Zgjedhjet në veri s’ofrojnë zgjidhje afatgjatë, e nevojshme kthimi i serbëve në institucione dhe themelimi i Asociacionit

schedule12:49 - 24 Prill, 2023

schedule 12:49 - 24 Prill, 2023

Zëdhënësi i BE, Petar Stano theksoi se zgjedhjet në veri të Kosovës nuk ofrojnë zgjidhje afatgjatë për komunat. Nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, duke komentuar zgjedhjet e djeshme,  ai tha se kthimi i serbëve në institucione dhe Asociacioni i komunave serbe është urgjent.

”Vota në veri nuk ofron zgjidhje politike afatgjata për komunat përkatëse. Kthimi i përhershëm i serbëve të Kosovës në institucione dhe themelimi i Asociacionit/Bashkësisë janë urgjente sikurse është dialogu serioz ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe serbëve në veri”, ka shkruar Stano në Twitter.

Deklarata e plotë e BE-së:

Bashkimi Evropian ka marrë parasysh katër zgjedhjet e djeshme të pjesshme për kryetar komune dhe dy zgjedhjet e pjesshme për kuvendin komunal në komunat e Leposaviçit, Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potok. BE-ja pranon se zgjedhjet janë mbajtur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës dhe se janë bërë përpjekje që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe të rregullt.

Në të njëjtën kohë, BE-ja shpreh keqardhjen që jo të gjitha partitë dhe komunitetet e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë dhe votuar në zgjedhje. Pjesëmarrja shumë e ulët, veçanërisht në mesin e qytetarëve serbë të Kosovës, tregon se ky proces nuk konsiderohet dhe nuk mund të konsiderohet si zakonisht.

Pjesëmarrja në proceset zgjedhore ka për qëllim të sigurojë që zërat e komuniteteve që përfaqësojnë liderët e zgjedhur do të dëgjohen. Që kur serbët e Kosovës u larguan nga institucionet e Kosovës në veri të Kosovës në nëntor 2022, BE-ja ka qenë vazhdimisht e angazhuar me të dyja palët për të lehtësuar kthimin e tyre.

Këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna. Kjo mund të ndodhë vetëm përmes kthimit të përhershëm të serbëve të Kosovës në institucione dhe që Kosova ta mundësojë këtë kthim. Puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe duhet të finalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Është e domosdoshme që urgjentisht të rivendosim një situatë ku serbët e Kosovës të marrin pjesë aktivisht në qeverisjen lokale, policinë dhe gjyqësorin në veri të Kosovës. Për këtë ka nevojë urgjente për një dialog serioz ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe serbëve të Kosovës në veri. Deri më tani është bërë pak përparim. Prandaj, ne kemi nevojë që të dyja palët të luajnë rolin e tyre dhe të përmbushin angazhimet e tyre.

Marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është platforma e duhur për të arritur këtë objektiv.

BE-ja mirëpret profesionalizmin e Policisë së Kosovës, Misionit të saj për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe KFOR-it në sigurimin e një mjedisi të sigurt për zgjedhjet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!