BE vendosi se “reforma e drejtësisë” në Poloni shkel ligjin evropian

schedule20:33 - 5 Qershor, 2023

schedule 20:33 - 5 Qershor, 2023

Reforma e drejtësisë në Poloni, e cila u vendos në vitin 2019 nga qeveria populiste nacionaliste e partisë Ligji dhe Drejtësia (PiS) dhe e cila ishte subjekt i një sherri mes Varshavës dhe Brukselit, shkel ligjin e BE-së, vendosi sot Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian.

“Reforma e drejtësisë polake e dhjetorit 2019 shkel ligjin e Unionit, veçanërisht aspektin e saj në lidhje me sistemin disiplinor të gjyqtarëve dhe pavarësinë e tyre”, tha gjykata në vendimin e saj. Komisioni Evropian e mirëpriti menjëherë këtë vendim pasi kishte ngritur ankesa në gjykatë lidhur me këtë reformë.

“Është një ditë e rëndësishme për rivendosjen e një gjyqësori të pavarur në Poloni,” komentoi Komisioneri Evropian i Drejtësisë Didier Reyders, duke vënë në dukje se ligji polak “minon pavarësinë e gjyqtarëve”.

“Pas vendimit të sotëm, ligji për pushtetin gjyqësor duhet të përshtatet në përputhje me rrethanat,” shtoi ai, duke theksuar se vendimi i Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian “zgjidhi përfundimisht çështjen dhe u bëri thirrje autoriteteve polake të respektojnë plotësisht vendim”.

Në vitin 2021, Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian e kishte dënuar Poloninë me gjoba prej një milion eurosh në ditë për ta bërë atë të ndalonte aktivitetet e divizionit disiplinor të Gjykatës së Lartë, një institucion i rëndësishëm i reformës së diskutueshme të sistemit gjyqësor polak. Deri më sot, shuma e këtyre gjobave ka kaluar 550 milionë euro.

Polonia refuzon t’i paguajë këto gjoba, por Brukseli ka mbajtur një pjesë të fondeve të destinuara për Poloninë.

Vendimi i Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian heq sanksionin financiar të vendosur, por Polonia duhet të paguajë ende shumat që i detyrohet nga e kaluara.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!