BE vendos sanksione të reja ndaj Iranit, Michel: Është kërcënim për të gjithë rajonin, duhet ta izolojmë

schedule10:45 - 18 Prill, 2024

schedule 10:45 - 18 Prill, 2024

Bashkimi Europian ka rënë dakord të zgjerojë sanksionet ndaj Republikës Islamike që do të synojnë kompanitë e përfshira në prodhimin e dronëve dhe raketave, pas sulmit hakmarrëse të Teheranit ndaj Izraelit. Megjithatë numri konkret i individëve apo edhe e kompanive do të njoftohet në një moment të dytë.

“Ne mund të reflektojmë së bashku dhe të identifikojmë mjetet më të mira që mund të përdorim për të mbështetur Izraelin, popullin e tij, sigurinë dhe të drejtën e tij për të ekzistuar dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm shumë aktiv në nivel diplomatik dhe i angazhuar shumë me vendet e rajonit, sepse vendet e rajonit e dinë se Irani është një kërcënim jo vetëm për Izraelin.

Ai është një kërcënim për stabilitetin në rajon, kur e pamë se Irani vendosi të nisë sulmin e tij disa ditë më parë kundër Izraelit. Për këtë arsye, angazhimi në rajon është thelbësor dhe ne duhet të izolojmë Iranin, të vendosim sanksione kundër Iranit dhe të punojmë me partnerët tanë”, tha Michel.

BE-ja tashmë ka një gamë të gjerë masash të vendosura që synojnë Iranin për abuzimet e të drejtave të njeriut, aktivitetet bërthamore dhe mbështetjen me municione për Rusinë.

Të mërkurën shtetet e bashkuara të Amerikës njoftuan se do të ndërmarrin edhe ata masa ndëshkuese ndaj Iranit. Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen tha se “të gjitha opsionet për të penguar financimin e terrorizmit të Iranit vazhdojnë të jenë në tryezë”.

liderët botërorë kanë vazhduar të bëjnë thirrje për përmbajtje, në një përpjekje për të parandaluar një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.

“Për ne, është e rëndësishme që ky moment të përdoret tani edhe për uljen e tensioneve. Izraeli duhet ta përdorë këtë sukses për të forcuar pozicionin e tij në të gjithë rajonin dhe të mos përgjigjet me një sulm masiv të tij,”tha kancelari gjerman.

Megjithatë kryeministri Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli do t’i marrë vetë vendimet për mënyrën se si do ta mbrojë veten.

Zyra e Netanyahut lëshoi një deklaratë pas takimit që pati kreu i qeverisë izraelite me sekretarin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, Davi Cameron dhe me ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.

“Dua të jem i qartë. ne i marrim vetë vendimet tona dhe shteti i Izraelit do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për ta mbrojtur veten”, raportohet të ketë thënë ai.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!