BE, vendet anëtare bien dakord për mbrojtjen dhe emigracionin

schedule22:50 - 23 Shkurt, 2018

schedule 22:50 - 23 Shkurt, 2018

28 vendet e Bashkimit Europian kanë rënë dakord për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen dhe për kontrollin e emigracionit të paligjshëm. Gjithashtu, vendet anëtare kanë rikonfirmuar linjën sa i takon daljes së Britanisë nga Unioni.

Liderët e vendeve të Bashkimit Europian kanë rënë dakord këtë të premte që të shpenzojnë më shumë për një politikë të përbashkët për mbrojtjen dhe sigurinë. Gjithashtu, krerët e shteteve kanë rënë dakord për luftimin e emigracionit ilegal përmes një buxheti afatgjatë që do të miratohet pasi Britania e Madhe të dalë nga blloku.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur në përfundim të mbledhjes së liderëve, presidenti i KiE-së Donald Tusk ka deklaruar se krerët e qeverive u shprehën të gatshëm të kontribuojnë me më shumë financime për kompensimin e humbjeve që pritet të vijnë nga dalja e Britanisë, në vitin 2019. Pretendimet aktuale të Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me BE-në pas Brexit, Tusk i ka cilësuar si “iluzione të pastra”.

Ai ka thënë se, vërtet Londra po merr një qëndrim më të detajuar sa i takon këtij procesi, por filozofia e saj për ta trajtuar kontinentin si një tortë është ende e gjallë. Presidenti i KiE ritheksoi linjën e Brukselit se Britania nuk mund të zgjedhë vetëm qershinë mbi tortë, duke iu referuar privilegjeve për akses të lirë në tregje të caktuara të bllokut./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!