BE, ultimatum Venezuelës: Zgjedhje të reja, ndryshe…

schedule21:00 - 25 Janar, 2019

schedule 21:00 - 25 Janar, 2019

Vendet anëtare të BE-së kanë vendosur të dalin me një qëndrim të unifikuar lidhur me krizën politike në Venezuelë. Përmes një deklarate, Brukseli i kërkon regjimit në Karakas të organizojë zgjedhje të parakohshme, ndryshe do të njohë si president liderin e opozitës.

Bashkimi Europian po përgatitet për të dalë me një deklaratë të përbashkët, përmes të cilës do t’i kërkojë presidentit të Venezuelës, Nikolas Maduro organizimin sa më parë të zgjedhjeve të reja. Lajmin e kanë bërë të ditur burime diplomatike pranë Unionit, të cilat kanë paralajmëruar se në rast të kundërt, vendet anëtare do të njohin liderin e opozitës Huan Guaido’ si president në detyrë.

“BE dëshiron që zgjedhjet të thirren menjëherë dhe këtu po flasim çështje ditësh dhe jo javësh”, kanë deklaruar burimet. Propozimi për të lidhur njohjen e Guaido’ me zhvillimin e zgjedhjeve u bë nga kryeministri spanjoll Pedro Sançez dhe menjëherë mori mbështetjen e shumë vendeve të BE-së, mes të cilave Gjermania. Guaido’ u vetëshpall president në detyrë ditën e mërkurë, gjatë një manifestimi të opozitës dhe qytetarëve që kishin mbushur rrugët e kryeqytetit Karakas. Menjëherë ai siguroi njohjen e shumë vendeve amerikano-latine si dhe të administratës amerikane. Ndërkohë, Rusia, Kina, Turqia, Kuba, Meksika dhe Bolivia rikonfirmuan mbështetjen për presidentin në fuqi, Maduro./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!