BE thirrje Trump: Mos tërhiq SHBA nga marrëveshja bërthamore me Iranin

schedule20:43 - 11 Janar, 2018

schedule 20:43 - 11 Janar, 2018

Bashkimi Europian i ka bërë thirrje presidentit Donald Trump që të mos tërheqë Uashingtonin nga marrëveshja bërthamore me Iranin. Sipas shefes europiane për politikë të jashtme, Teherani ka respektuar akordin e arritur në 2015.

Fuqitë europiane i kanë bërë thirrje SHBA-së që të mos braktisë marrëveshjen e 2015-s në Iranin që kufizon programin e saj bërthamor, duke thënë se po e bën botën më të sigurt. Në një konferencë shtypi pas takimit me ministrin e Jashtëm iranian Mohamad Xhavad Zarif, përfaqësuesit e BE-së, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Gjermanisë përsëritën mbështetjen e tyre për akordin.

Federica Mogherini, perfaqesuese e larte e BE per politike te jashtme: “Marrëveshja po funksionon, po jep qëllimin e saj kryesor, që do të thotë mbajtjen e programit bërthamor iranian në kontroll dhe nën mbikëqyrje të ngushtë. Uniteti i bashkësisë ndërkombëtare është thelbësor për të ruajtur një marrëveshje që po funksionon, që po e bën botën më të sigurt dhe që po parandalon një garë të mundshme të armëve bërthamore në rajon. Presim që të gjitha palët të vazhdojnë ta zbatojnë plotësisht këtë marrëveshje”.

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Boris Xhonson, këmbënguli se marrëveshja pengon Iranin nga posedimi i armëve bërthamore. Ai gjithashtu sfidoi Uashingtonin që të propozojë një alternativë më të mirë. Gjithashtu edhe qëndrimi i zyrtarit Iranian ishte i njëjtë.

“Ne presim që të gjitha palët të vazhdojnë të zbatojnë plotësisht këtë marrëveshje”, tha Zarif, duke i bërë thirrje vendeve evropiane të luajnë një rol më të fortë në këtë drejtim.
Ndërkohë, Presidenti amerikan, Donald Trump dëshiron të ndryshojë marrëveshjen ose të tërhiqet prej saj. Në tetor, ai refuzoi të recertifikojë marrëveshjen me Iranin, duke e akuzuar Teheranin për shkelje të shumta të akordit të 2015-s. Trump e konsideron atë si marrëveshjen më të keqe dhe të njënashme në të cilën është përfshirë SHBA./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!