Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

BE synon sanksione të reja ndaj Bjellorusisë, shkak “sulmi hibrid” në Lituani

schedule22:42 - 1 Dhjetor, 2025

schedule 22:42 - 1 Dhjetor, 2025

Bashkimi Evropian po përgatit sanksione të reja kundër Qeverisë së presidentit bjellorus Aleksandër Lukashenko, të cilën e akuzon për një fushatë “hibride” kundër Lituanisë fqinje, tha të hënën shefja e BE-së, Ursula von der Leyen.

Lituania e mbylli kufirin me Bjellorusinë në tetor pasi dhjetëra balona të ngarkuara me cigare të paligjshme hynë në hapësirën e saj ajrore, duke detyruar disa aeroporte të mbyllen dhe duke nxitur tensione mes dy vendeve.

“Gjendja në kufi me Bjellorusinë po përkeqësohet, me shpeshtimin e futjes së balonave të kontrabandës në hapësirën ajrore të Lituanisë”, shkroi presidentja e Komisionit Evropian në X pas bisedimeve me presidentin lituanez, Gitanas Nauseda.



“Një sulm i tillë hibrid nga regjimi i Lukashenkos është plotësisht i papranueshëm. Lituania vazhdon të ketë mbështetjen tonë të plotë”, tha von der Leyen, duke shtuar se “ne po përgatisim masa të mëtejshme në kuadër të regjimit tonë të sanksioneve”.

Mbyllja e kufirit në tetor la mijëra kamionë lituanë të bllokuar në Bjellorusi. Disa prej tyre ende ndodhen atje të ngecur, dhe Vilniusi e ka akuzuar Minskun për “shantazh” lidhur me miliona euro mallra të mbetura.

Ndërkohë, shërbimi diplomatik i BE-së tha se e ka thirrur të hënën të dërguarin e Bjellorusisë në takim për shkak të “veprimeve hibride që burojnë nga territori bjellorus dhe që përbëjnë një kërcënim për BE-në”, përfshirë edhe “çështjen e papranueshme” të kamionëve të bllokuar.

BE-ja ka vendosur sanksione vazhdimisht ndaj Minskut që nga viti 2020 – duke përfshirë edhe ato ndaj Lukashenkos dhe familjes së tij – për shtypjen brutale të kundërshtarëve dhe për mbështetjen e luftës së Moskës në Ukrainë./REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!