Në një kohë që Bashkimi Europian shton presionin ndaj Greqisë dhe Maqedonisë për gjetjen e një marrëveshjeje për çështjen e emrit, Shkupi ka nisur heqjen e shkronjave të emërtimin Aleksandri i Madh nga aeroporti i kryeqytetit.
Negociatat për problemin që ka Greqia me emrin kushtetues të Maqedonisë kanë hyrë në një fazë të re ku Bashkimi Evropian po bën presion për arritjen e një marrëveshjeje. Pikërisht çështja për emrin dhe përfundimet e arritura nga vizita e kryeministrit të Maqedonisë Zoran Zaev në Berlin ishte në qendër të takimit të së premtes në Bruksel mes kancelares gjermare Angela Merkel dhe kryeministrit grek Aleksis Cipras, ndërsa të dielën në Shkup do të qëndrojë për një vizitë zyrtare kryetari i Komisionit Europian Zhan Klod Junker dhe eurokomisioneri për zgjerim Johanes Han.
Sipas mediave greke, mesazhi nga Merkeli ka qenë se do të vazhdojë t’i inkurajojë të dyja palët që të mbërrijnë deri në zgjidhje, ndërsa, madje, Cipras, e ka përsëritur vendosmërinë e qeverisë greke që të gjendet zgjidhje e qëndrueshme dhe e pranuar nga të dyja palët. Mediat greke raportojnë se kancelarja gjermane e priti Zaevin me fjalët “kryeministri maqedonas”. Frazë e cila shkaktoi reagime në Greqi, si nga mediat, ashtu edhe nga partia opozitare Demokracia e Re.
Kancelarja Merkel pas takimit me Zaevin në Berlin u shpreh se cështja mes Maqedonisë dhe Greqisë për emrin, është pranë zgjidhjes, e duhet të mbyllet, por çfarëdo lloj presioni nuk do të ndikonte pozitivisht ndaj procesit.
Ndërkohë në aeroportin e Shkupit kanë filluar punimet për heqjen e shkronjave “Aleksandri i Madh”. Deri tani janë hequr disa nga shkronjat ndërkohë punimet do të vazhdojnë gjatë gjithë ditës. Heqja e tyre po bëhet si rezultat i vendimit qeveritar të 4 shkurtit për riemërimin e aeroportit të Shkupit. Emri i ri i aeroporit do të jetë “Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit”. Riemërimi i aeroportit por edhe i autostradës për në Greqi, u paralajmëruan nga kryeministri Zoran Zaev më 24 janar, pas takimit me kryeministrin grek Aleksis Tsipras më Davos të Zvicrës. /abcnews.al