Shqipëria po ecën me ritme të shpejta drejt Bashkimit Europian.
Gjatë diskutimeve në Strasburg për progresin e vendit tonë përgjatë dy viteve të fundit, Komisionerja për zgjerimin Marta Kos, i tha vendeve anëtare se Tirana zyrtare ka shënuar disa arritje në procesin e integrimit.
“Negociatat e anëtarësimit mes Shqipërisë dhe BE-së po ecin me një ritëm të paparë më parë, siç e dëgjuam, me disa arritje të rëndësishme të përmbushura në muajt e fundit dhe të tjera që priten. Kjo tregon se Shqipëria është angazhuar seriozisht në procesin e zgjerimit, ndërsa BE-ja po vepron duke respektuar qasjen e bazuar në meritë. Ne po punojmë ngushtë me Presidencën daneze për të mbajtur ritmin. Besojmë se edhe dy grupet e mbetura do të hapen sapo të jetë e mundur”, tha Marta Kos.
Komisionerja për zgjerimin kërkoi që reforma në drejtësi të mos preket duke evidentuar edhe rezultatet pozitive të strukturës së posaçme.
“Rezultatet e mira të strukturës së posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, SPAK, janë hapa pozitivë që theksohen edhe në raportin e Parlamentit. Është jetike që Shqipëria të vazhdojë të tregojë progres konkret në fusha kyçe. Në këtë kontekst, pavarësia e strukturës së posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, SPAK, duhet të ruhet plotësisht. SPAK është sot institucioni më i besuar në vend. Kjo duhet mbrojtur dhe forcuar”, shtoi ajo.
Sipas Kos, Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor mbeten një prioritet gjeostrategjik për BE-në. Parlamenti Europian pritet të miratojë të mërkurën raportin vjetor për Shqipërinë.

