Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj zëvendësministrit iranian të mbrojtjes, drejtuesve të lartë të Gardës Revolucionare të Iranit dhe tre kompanive ajrore për shkak të përfshirjes në furnizimin e Rusisë me dronë, raketa dhe pajisje të tjera, që janë përdorur në luftën e saj kundër Ukrainës.
Zëvendësministri i Mbrojtjes Seyed Hamzeh Ghalandari është njëri prej shtatë zyrtarëve të cilëve u është ndaluar hyrja në Evropë dhe pasuritë e pronat e të cilëve janë ngrirë. BE-ja tha se ai “është përfshirë në zhvillimin e programit të dronëve dhe raketave të Iranit”, duke marr parasysh rolin e tij të lartë në strukturën e mbrojtjes.
Pronat e kompanive ajrore “Iran Air”, Mahan Air dhe Saha Airlines u ngrinë. BE-ja tha se aeroplanët e tyre janë “përdor vazhdimisht për të transportuar dronë të prodhuar në Iran dhe teknologji tjera të ngjashme në Rusi, të cilat janë shfrytëzuar në agresionin e Rusisë kundër Ukrainës”.
Ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të BE-së i mbështetën sanksionet gjatë takimit në Luksemburg.
Në mars, BE-ja paralajmëroi se “nëse Irani i transferon raketa balistike dhe teknologji të ngjashme Rusisë për përdorim kundër Ukrainës, BE-ja do të jetë e gatshme të përgjigjet shpejt, përfshirë me masa të reja dhe të rënda kufizuese”.
Shtetet anëtare të BE-së, me përjashtimin e Hungarisë, që nga fillimi i sulmit të Rusisë në shkurt të vitit 2022 e kanë furnizuar Ukrainën me armatim dhe i kanë dhënë asaj ndihmë ekonomike dhe ndihma të tjera në vlerë prej 118 miliardë eurosh./VOA