BE po zhvendos takimet kryesore ministrore nga Budapesti në Bruksel

schedule21:53 - 22 Korrik, 2024

schedule 21:53 - 22 Korrik, 2024

BE-ja do të mbajë takimet e radhës të ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes në Bruksel në vend të Budapestit, në një qortim “simbolik” ndaj Hungarisë për diplomacinë e saj në lidhje me Ukrainën, tha Përfaqësuesi i Lartë për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Ndryshimi i vendit të takimeve nga 28 në 30 gusht paraqet një goditje për reputacionin e Hungarisë vetëm disa javë pasi ajo mori presidencën e rradhës të Bashkimit Evropian.

Kryeministri hungarez Viktor Orbán ka zemëruar pothuajse të gjithë partnerët e tij të BE-së duke shkuar vetë në Moskë për të eksploruar një rrugë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Orban, i cili është aleati më i afërt i presidentit rus Vladimir Putin në BE, akuzoi gjithashtu BE-në se po ndjek një “politikë pro-luftës” duke dërguar mbështetje ushtarake dhe financiare në Kiev.

Ai ka bllokuar vazhdimisht përpjekjet e Brukselit për të ndëshkuar Kremlinin dhe për të ndihmuar Ukrainën në luftën e saj kundër forcave pushtuese.

Qëndrimi i qeverisë Orban “duhet të ketë disa pasoja”, tha Borrell, duke shtuar se “një sinjal duhet t’i dërgohet Hungarisë, edhe nëse është një sinjal simbolik”.

Borrell tha se 25 nga 26 anëtarët e BE-së kritikuan të hënën nismën e Orbanit, të cilën Budapesti e quajti një “mision paqeje”.

Vetëm Sllovakia mbështeti qëndrimin e Hungarisë.

Shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka urdhëruar komisionerët evropianë që të shmangin takimet e BE-së që mbahen në Hungari dhe të dërgojnë tek ata zyrtarë të rangut më të ulët./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!