BE: Pasuritë e ngrira ruse për mbrojtjen e Ukrainës, Moska e akuzon për “vjedhje”

schedule15:39 - 31 Gusht, 2024

schedule 15:39 - 31 Gusht, 2024

Rusia e ka akuzuar Bashkimin Evropian për “vjedhje” pasi blloku njoftoi këstin e parë të ndihmave për Ukrainën, nga pasuritë e ngrira ruse. Bashkimi Evropian synon t’i përdorë këto fonde për të rritur aftësitë ushtarake të Kievit. Grupi i Shtatë vendeve kryesore të industrializuara (G7) po planifikon një skemë të ngjashme. Ekspertët kanë frikë se disa shtete perëndimore mund të shkurtojnë ndihmat e tyre për Ukrainën.

Bashkimi Evropian njoftoi të premten se ka ofruar 48 miliardë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën, që nga nisja e agresionit rus në vitin 2022.

Blloku gjithashtu do të ofrojë ndihma ushtarake dhe civile për Ukrainën duke përdorur pasuritë e konfiskuara ruse me një vlerë prej rreth 300 miliardë dollarë.

“Ne do të japim këstin e parë për Ukrainën nga pasuritë e ngrira ruse. Janë rreth 1.55 miliardë dollarë. Një pjesë e kësaj shume shkon drejtpërdrejt në Ukrainë për të nxitur industrinë e mbrojtjes ukrainase. Deri në mars, ne do të japim edhe këstin e dytë”, tha Josep Borrell, Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së.

Moska tha se transferimi i parave drejt Ukrainës, nga pasuritë e ngrira ruse është “vjedhje” dhe paralajmëroi për pasojat ligjore.

Grupi i Shtatë vendeve kryesore të industrializuara, ose G7, gjithashtu ka rënë dakord që të përdorë pasuritë e ngrira ruse për të ofruar ndihmë për Ukrainën edhe pse kjo skemë ende nuk është finalizuar.

Gjermania njoftoi këtë muaj se mund të përdorë mekanizmin e G7-ës për të zëvendësuar ndihmën e saj ushtarake për Ukrainën, pasi Berlini po përpiqet të shkurtojë shpenzimet. Gjermania është donatori i dytë më i madh i Ukrainës, pas Shteteve të Bashkuara.

“Sinjali politik që dërgon është shkatërrues. Donatori më i madh në Evropë, Gjermania, papritmas ndalon mbështetjen për Ukrainën. Ideja e përdorimit të mekanizmave të G7 ishte që t’i komunikonte Vladimir Putinit se Perëndimi nuk do të dorëzohet, se ai nuk mund të shpresojë se në një moment Perëndimi do të ndalojë mbështetjen. Kjo është një shenjë kontradiktore tani, papritmas fondet e Ukrainës janë ndërprerë nga buxheti”, thotë Liana Fix me Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë.

Kancelari Olaf Scholz këmbëngul se Gjermania do të mbështesë Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian u bëri thirrje vendeve anëtare dhe aleatëve perëndimorë që të heqin kufizimet ndaj Ukrainës për të përdorur raketa me rreze të gjatë veprimi për të vënë në shënjestër objektiva brenda Rusisë./voa

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!