Ministri italian i Financave ka informuar të hënën homologët europianë mbi buxhetin e planifikuar nga Roma për vitin e ardhshëm. Ndërsa ministri është përpjekur të qetësojë Brukselin, që ka shprehur rezerva; zëvendës kryeministri Di Maio ka akuzuar BE-në për terrorizëm financiar.
Ministri italian i Financave ka informuar të hënën homologët europianë me detajet e buxhetit të Italisë për vitin 2019. Në një tryezë me dyer të mbyllura të mbajtur në Luksemburg, Xhovani Tria ka nënvizuar se detajet nuk janë përfundimtare, pasi janë ende në diskutim.
Raportimi i ishte kërkuar ministrit Tria nga homologu francez Bruno Lë Mar dhe ai holandez pas një seri përplasjesh mes Romës dhe Brukselit. Ky i fundit kërkon masa shtrënguese nga Italia, por qeveria e drejtuar nga Xhuzepe Konte insiston se do të rrisë shpenzimet për të luftuar varfërinë. Për këtë arsye, ekzekutivi italian ka në plan që të rrisë deficitin buxhetor në 2.4 për qind, ndërkohë që BE-ja kërkon që rritja të mos shkojë mbi 2 për qind.
Nisur nga kërkesat e serta, zëvendës kryeministri Luixhi di Maio ka akuzuar të hënën liderët e Unionit se po manipulojnë tregjet financiare për të justifikuar kritikat e tyre për planet e Italisë.
“Disa institucione po ushtrojnë terrorizëm financiar në tregjet europiane”, ka thënë Di Maio.
Ai i është referuar komisionerit europian për Ekonominë, Pierr Moskovici, duke e akuzuar se qëllimisht ka dëmtuar tregjet. Ndërkohë, pas raportimit të ministrit të Financave, zyrtarët europianë kanë deklaruar se është ende herët për të formuluar një qëndrim përfundimtar për faktin se buxheti nuk është zyrtarizuar ende./abcnews.al