Prezenca e OSBE-së në Shqipëri deklaron se ka ndjekur procesin e zgjedhjes së kryetarit dhe anëtarëve të Autoritetit të Mediave Audiovizive. Ndërkohë që Kuvendi pritet të votojë sot kreun e AMA, OSBE thekson se kanë qenë kontakt me aktorët përkatës, ndërsa nënvizon nevojën për një organ të pavarur të rregullimit të medias.
Gjithashtu, prezenca e OSBE-së shton rëndësinë e një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent për emërimin e kryetarit të AMA.
“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka ndjekur procesin e zgjedhjes së kryetarit dhe anëtarëve të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA). Po ashtu, ne kemi qenë në kontakt me aktorët përkatës, duke theksuar nevojën për një organ të pavarur të rregullimit të medias. Ne nënvizojmë rëndësinë e një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent për emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të rinj të AMA-s, për të garantuar që AMA ta përmbushë më së miri misionin e saj të ndjeshëm,” thuhet në deklaratë.
Ndërkohë, mëngjesin e sotëm pak orë para votimit në Kuvend për kreun e AMA-s në Kuvend, delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri i ka bërë thirrje ligjvënësve ta shtyjnë këtë procedurë bashkë me emërimin e anëtarëve të bordit të këtij autoriteti në muajin shtator, nisur nga akuzat e opozitë se maxhoranca po tenton ta kapë këtë institucion.
Në garë për kreun e AMA-s janë Alketa Dibra dhe Armela Krasniqi, mes akuzave të opozitës se qeveria Rama po favorizon kandidaturën e kësaj të fundit. Kuvendi mblidhet sot në seancën e fundit për këtë legjislaturë. Në muajin shtator pritet të nisë sërish punimet me deputetët e zgjedhur nga zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit. g.v/abcnews.al